Hovenier: S’do të këshilloja Sorensenin që të negociojë zotime të reja, as Kosova as Serbia s’i morën seriozisht obligimet
Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se Asociacioni nuk është hequr si obligim i Kosovës dhe se ai aty është që nga viti 2013, por se ai u përsërit në Marrëveshjen e Ohrit. Hovenier thotë se nëse do t’i jepte këshillë emisarit të ri të Bashkimit Europian, Peter Sorensen, do të ishte që…
![](https://lajmi.net/wp-content/uploads/2024/04/Hovenier.jpg)
Lajme
Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se Asociacioni nuk është hequr si obligim i Kosovës dhe se ai aty është që nga viti 2013, por se ai u përsërit në Marrëveshjen e Ohrit.
Hovenier thotë se nëse do t’i jepte këshillë emisarit të ri të Bashkimit Europian, Peter Sorensen, do të ishte që të mos negociojë zotime të reja, por të përmbushën këto të vjetrat.
“Republika e Kosovës bëri një zotim për këtë në vitin 2013. Ai zotim nuk është hequr dhe ai zotim qëndron. Ka edhe zotime që ka marrë edhe Serbia, gjëra që duhet të bëjë, të cilat gjithashtu duhet të zbatohen. Ky zotim në lidhje me Asociacionin u përsërit fuqishëm në kontekstin e Marrëveshjes Bazike të 2023-ës dhe Aneksit të Zbatimit të saj. Dhe unë personalisht besoj – dhe nëse do t’i jepja këshilla Peter Sorensen dhe Bashkimit Europian, mendoj se mënyra më e mirë për të ecur përpara është të mos negociosh zotime të reja tani, sepse ajo që u arrit në vitin 2023 është një paketë mjaft mbresëlënëse. Thjesht mungon plotësisht në zbatim. As Kosova dhe as Serbia nuk i kanë marrë seriozisht obligimet për zbatimin e zotimeve”, tha Hovenier në Atlantic Council.
Hovenier tha se nëse kjo do të lëvizë përpara do të ndryshojë dinamikën dhe do të përfitojë edhe Kosova edhe Serbia.
Po ashtu, diplomati amerikan thotë se Kosova ka ngecur në mënyrën se si të përmbushë obligimet e saj ndaj pakicave, ndërsa e potencoi se mbështetja amerikane për Kosovën e pavarur ishte për një vend multietnik me mbrojtje të veçantë të pakicave, veçanërisht pakicën serbe.
“Aty ku kemi ngecur ka qenë disa herë në çështjet shumë të vështira të ndjeshme se si të përmbushen më së miri premtimet e bëra dhe vizioni i vendit në kohën e [kur shpalli] pavarësisë në bazë të mbështetjes sonë për pavarësinë, i cili ishte për një vend multietnik dhe në të cilin do të kishte disa mbrojtje të veçanta për komunitetet joshumicë, veçanërisht komunitetin serb, duke pasë parasysh historinë e ndërlikuar dhe të vështirë”.
Hovenier përsëriti atë që e kishte thënë disa herë edhe sa ishte në detyrë në Prishtinë që mënyra se si duhet të përmbushet ky obligim i Kosovës duhet të jetë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën e saj.
“Kështu që ne u ngecëm në disa nga çështjet se si të zbatohen më së miri mbrojtjet kushtetuese për komunitetet pakicë. Ne ngecëm në çështjet se si Serbia mund të ushtrojë më së miri të drejtën që ka nën Ahtisaarin për t’i dhënë mbështetje komunitetit serb në Kosovë, por në një mënyrë që janë në pajtim me ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës”, tha ai. /Express