Houston, vriten me armë 6 persona, mes tyre 4 fëmijë

Një ngjarje e rëndë është shënuar në qytetin amerikan të Houston. Gjashtë persona, katër prej të cilëve ishin fëmijë, janë vrarë me armë zjarri në një banesë.

Bota

10/07/2014 18:22

Policia ka bërë të ditur se edhe një grua mbeti e plagosur rëndë, por ishte në gjendje të identifikonte autorin, i cili u dorëzua pas rreth tre orë ndjekje nga polica.

Shkaqet e ngjarjes nuk janë të qarta, por dyshohet për probleme në familje, megjithëse ende nuk dihen marrëdhëniet e të pandehurit me viktimat.

Policia nuk e ka bërë të ditur identitetin e autorit, por ka thënë se ai është një burrë rreth 30 vjeçar.

Pasi kishte marrë informacionin për ngjarjen e rëndë, policia kishte mbërritur te banesa ku kishte ndodhur krimi, duke gjetur të pajetë tre fëmijë dhe dy të rritur, ndërsa një tjetër fëmijë humbi jetën në spital.