Hoti: Ua ndalën rrogat, tani edhe po i censurojnë gazetarët e RTK-së që kritikojnë pushtetin
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria në detyrë e drejtuar nga Albin Kurti më parë të gjithë punonjësit e Radio Televizionit të Kosovës i kishte lënë pa rroga, e tani gazetarët e këtij mediumi publik, sipas tij, po censurohen. Në një postim në Facebook, Hoti pohoi se janë duke…

Lajme
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria në detyrë e drejtuar nga Albin Kurti më parë të gjithë punonjësit e Radio Televizionit të Kosovës i kishte lënë pa rroga, e tani gazetarët e këtij mediumi publik, sipas tij, po censurohen.
Në një postim në Facebook, Hoti pohoi se janë duke u penguar të kryejnë punën e tyre gazetarët që e kritikojnë pushtetin.
“Krejt stafin e RTK-së e lënë pa rroga, edhe pse e dinë se kjo situatë zgjidhet sipas praktikave të mëparshme, pa u dëmtuar asnjë cent i buxhetit nga ajo që është planifikuar për RTK-në me ligj të buxhetit. Tash i censurojnë gazetarët që e kritikojnë pushtetin, ndërkaq i favorizojnë ata që i miklojnë ministrat në intervista”.
“Kjo qasje është e papranueshme, është kundër parimeve të funksionimit të mediumit publik të pavarur. Kjo qasje zbatohet në mediumet publike të regjimeve jodemokratike. Ata zyrtarë të lartë të RTK-së, që po i marrin këto vendime të marra, e dinë se po bëjnë shkelje ligjore. Çfarë zori kanë që lejojnë të instrumentalizohen në këtë mënyrë nga pushteti, do ta marrim vesh me kohë”, potencoi Hoti.
I njëjti deklaroi se ligjit nuk do t’i shpëtojë askush, siç tha ai, lista është bërë e gjatë e atyre që do të mbajnë përgjegjësi për këto shkelje.