Hoti: Ruajtja e kushtetutshmërisë është mbi çdo interes elektoral, çështja të dërgohet urgjentisht në Kushtetuese
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka shkruar në lidhje me situatën që ka ndodhur sot në Kuvend. Ai ka thënë se ruajtja e kushtetutshmërisë është mbi çdo interes elektoral, shkruan lajmi.net. “Duke pamundësuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh nga dita e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, partia që ka…
Lajme
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka shkruar në lidhje me situatën që ka ndodhur sot në Kuvend.
Ai ka thënë se ruajtja e kushtetutshmërisë është mbi çdo interes elektoral, shkruan lajmi.net.
“Duke pamundësuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh nga dita e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, partia që ka dalë e para në zgjedhje e ka shkelur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Çdo veprim pas kalimit të këtij afatit bie në kundërshtim me atë aktgjykim. Moskonstituimi i Kuvendit, i qëllimshëm dhe i motivuar nga interesa elektorale, nuk mund të kalojë në heshtje”, ka shkruar Hoti .
Ai ka thënë se disa deputetë, duke pamundësuar qëllimshëm konstituimin e Kuvendit, janë duke e shkelur betimin e dhënë më 6 gusht 2026 për mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë. Ndërkaq, sipas tij disa po e shkelin betimin me mosveprim, duke mos e adresuar këtë shkelje në Gjykatën Kushtetuese.
“Dërgimi i kësaj shkelje në Gjykatën Kushtetuese mund të jetë në interesin e partisë së parë, pasi i mundëson asaj që, duke e prolonguar konstituimin e Kuvendit, të çojë vendin në zgjedhje në një datë të përshtatshme për të. Por ruajtja e kushtetutshmërisë është para çdo interesi elektoral. Çështja duhet dërguar urgjentisht në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata duhet t’i japë zgjidhje situatës kur partia që del e para në zgjedhje nuk e shfrytëzon të drejtën e saj për të propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit”, ka shkruar Hoti.
Ai e ka kujtuar faktin se Kosova është me një u.d të Presidentit me mandat të kontestuar pas datës 6 gusht 2026.
“Kur 120 deputetë e kanë dhënë betimin, ish Kryetares së Kuvendit i ka mbaruar mandati në krye të Kuvendit, i cili mandat i ka mundësuar ushtrimin e detyrës së Presidentit. Republika e Kosovës është gjithashtu me Kryeministër dhe ministra në detyrë, të cilët nga data 6 gusht 2026 kur e kanë dhënë betimin si deputetë, janë duke e ushtruar detyrën në mënyrë të kundërligjshme. Për këtë çështje ka një aktgjykim të Gjykatës Supreme”, ka shtuar Hoti ndër të tjera. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: