Hoti pas takimit me Macron: Franca do vazhdojë përkrahjen për Kosovën në procesin e dialogut
Kryeministri Avdullah Hoti ka folur rreth takimit të tij me presidentin francez Emmanuel Macron në Paris.
Lajme
Hoti shprehet i nderuar me pritjen që iu bë nga presidenti i Francës, duke shtuar se raportet e Kosovës me Francën janë të shkëlqyeshme, shkruan lajmi.net.
Hoti shton se Ballkani Perëndimor duhet të ketë perspektivë të vetën Bashkimin Evropian.
“Shumë i nderuar me pritjen nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Raportet e Kosovës me Francën janë të shkëlqyeshme dhe ne jemi falënderues për përkrahjen e saj. Perspektiva e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është e vetmja mundësi për paqe, stabilitet dhe prosperitet në këtë pjesë të Evropës” , ka shkruar Hoti në Twitter.
Ai më tutje tregon se Franca është zotuar të vazhdojë përkrahjen për Kosovën në procesin e dialogut me Serbinë.
“Franca zotohet se do të vazhdojë ta përkrah Kosovën në procesin e dialogut me Serbinë, i cili duhet të çojë në njohje të dyanshme dhe normalizim të raporteve” , thuhet tutje në postimin e tij. /Lajmi.net/