Hoti: PAN-i të tregojë nëse nuk i ka numrat për formimin e institucioneve

10:28 | 9 Gusht 2017

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se tri seancat e Kuvendit deri tani janë thirrur në mënyrë të rregullt në të cilën vetëm në njërën PAN ka marr pjesë, raporton lajmi.net.

Hoti ka thënë se javën e kaluar është caktuar edhe thirrja e seancës por Hoxhaj ka kërkuar që të ketë edhe një takim konsultativ për sot.

Hoti ka thënë se ata do të marrin pjesë në secilën seancë që thirret në mënyrë të rregullt. I ka bërë thirrje PAN që të marr pjesë në seancë dhe ta shfrytëzojë të drejtën e propozimit të kandidatit për kryetar.

Ai i ka bërë thirrje PAN që të ketë kujdes në gjuhen e përdorur sepse ata sipas tij nuk e kanë monopolin për krijimin e qeverisë.

Hoti ka thënë se PAN duhet të tregojë nëse nuk i ka numrat e mjaftueshëm për formimin e institucioneve dhe atëherë të gjendet një zgjidhje nga spektri politik.

Deputeti i Alternativës Ilir Deda u është drejtuar përfaqësuesve të PAN që ta propozojnë ditën kur dëshirojnë të mbahet seanca. Deda ka thënë se askush nuk po u konteston të drejtën për ta propozuar kandidatin për kryetar. “Kjo çështja e numrave si duket ka bërë që të kemi deklarata të tilla. Propozoni kur dëshironi të mbahet seanca ta aprovojmë dhe të ecim përpara”, ka thënë Deda, raporton lajmi.net./Lajmi.net/