Hoti në Austri: Kërkohet rritje e kredisë së butë, hiqet tatimi i dyfishtë

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, gjatë vizitës zyrtare në Austri, është takuar sot me homologun e tij austriak, Hans Jӧrg Schelling, dhe zyrtarë të lartë të shtetit të Austrisë.

Lajme

11/03/2015 16:10

Të dy shtetet u dakorduan për inicimin e grupeve të përbashkëta punuese për përfundimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes së eliminimit të tatimit të dyfishtë, si dhe për zgjatjen e afatit të marrëveshjes mbi kredinë e butë që Qeveria e Kosovës ka me Qeverinë e Austrisë, si dhe rritjen e shumës së kësaj kredie.

avdullah Hoti1

Ministri Hoti e njoftoi homologun e tij austriak për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të implementuar planin zhvillimor të saj, i cili ka për qëllim që të sigurojë rritje të qëndrueshme ekonomike dhe ku dhënien e përparësisë zhvillimit të sektorit privat, ku të gjitha bizneset trajtohen në mënyrë të barabartë.

Siç njofton Ministria e Financave, gjatë takimit është biseduar edhe për mundësinë e tërheqjes së investitorëve austriakë për të investuar në Kosovë. Hoti bëri të ditur se kushtet që i ofron Kosova janë të favorshme për investime dhe gjithashtu Qeveria është duke bërë ndryshime të mëtutjeshme ligjore në favor të investitorëve në Kosovë.

Ndërsa, ministri austriak, Hans Jӧrg Schelling falënderoi Hotin për vizitën dhe përkushtimin e tij për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive, njëherësh përgëzoi për hapat që po merr Qeveria e Kosovës në lidhje me reformat në aspektin e zhvillimit ekonomik dhe theksoi se Kosova do ta ketë mbështetjen e Austrisë në këtë proces të rëndësishëm zhvillimor. (lajmi.net)