Hoti kritikon mungesën e kushteve për Policinë e Kosovës: Shteti ende s’ofron mbrojtjen e nevojshme
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka shprehur kritika ndaj institucioneve shtetërore në 26-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, duke thënë se pjesëtarët e këtij institucioni ende nuk gëzojnë mbështetjen dhe mbrojtjen e duhur nga shteti. Sipas Hotit, përkundër sakrificës dhe rolit të rëndësishëm që ka Policia e Kosovës, pjesëtarët e…

Lajme
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka shprehur kritika ndaj institucioneve shtetërore në 26-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, duke thënë se pjesëtarët e këtij institucioni ende nuk gëzojnë mbështetjen dhe mbrojtjen e duhur nga shteti.
Sipas Hotit, përkundër sakrificës dhe rolit të rëndësishëm që ka Policia e Kosovës, pjesëtarët e saj përballen me mungesa serioze në sigurimet shëndetësore, të jetës dhe pensione dinjitoze, raporton lajmi.net
Ai theksoi gjithashtu mungesën e kushteve elementare për punë, përfshirë shujtat, veshmbathjen dhe mjetet logjistike.
“Respekt dhe mirënjohje të jashtëzakonshme ndaj institucionit simbol dhe identitar të Republikës së Kosovës – Policisë. Mirënjohje dhe përulje ndaj të gjithë atyre policëve që ranë në krye të detyrës dhe atyre që u lënduan në mbrojtje të jetës dhe pronës së qytetarëve. Ndjehem keq që pas kaq vitesh shteti i Kosovës ende nuk ka arritur të ofrojë mbrojtjen e nevojshme për pjesëtarët e këtij institucioni, përfshirë këtu sigurimin shëndetësor dhe sigurimin e jetës, pensionin dinjitoz, të parakohshëm dhe të rregullt. Është e papranueshme edhe fakti se ju mungojnë kushtet dhe mjetet e punës adekuate, siç janë: shujta e rregullt dhe e plotë, veshmbathje cilësore për verë e dimër, transport adekuat, vetura pune të përshtatshme dhe të mjaftueshme për të gjithë”, ka shkruar Hoti.
Ai ka bërë thirrje për trajtim të dinjitetshëm të pjesëtarëve të Policisë, duke kujtuar rolin e tyre kyç në ndërtimin dhe sigurinë e shtetit të Kosovës./Lajmi.net/