Hoti: Jemi në rrugë të mbarë për të mobilizuar shumën prej 1.2 miliardë euro për rimëkëmbje ekonomike

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se janë krijuar kushtet për zbatim të plotë të pakos për rimëkëmbje ekonomike.

Lajme

05/08/2020 13:25

Sot, në Komisionit për Buxhet dhe Financa, është miratuar dhe përcjell për seancë projektligji për rimëkëmbje ekonomike.

Pas këtij miratimi, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se janë duke u krijuar kushtet për zbatim të plotë të pakos për rimëkëmbje ekonomike, shkruan lajmi.net.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Hoti ka falënderuar anëtarët e këtij komisioni dhe ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të mbështesin këtë projektligj në seancë, në mënyrë që siç është shprehur ai, të miratohet para se Kuvendi të shkojë në pushim veror.

Njoftimi i plotë i Hotit, pa ndërhyrje:

Po krijohen kushtet për zbatim të plotë të pakos për rimëkëmbje ekonomike

Sot, në Komisionit për Buxhet dhe Financa, është miratuar dhe përcjell për seancë projektligji për rimëkëmbje ekonomike. I falënderoj të gjithë anëtarët e Komisionit për mbështetje. I lus të gjithë deputetët që të mbështesin këtë projektligj në seancë, në mënyrë që të miratohet para se Kuvendi të shkojë në pushim veror.

Programi për rimëkëmbje ekonomike financohet nga tre burime: (1) mjetet nga buxheti i rregullt, (2) marrëveshjet ndërkombëtare dhe (3) ligji për rimëkëmbje ekonomike. Dy të parat tanimë janë miratuar, për të cilën gjë jam falënderues ndaj të gjithë deputetëve.

Me buxhetin e vitit 2021, do të zhvillohen masa të tjera dhe do të vazhdojnë disa nga masat ekzistuese, si dhe do të identifikohen instrumente financiare shtesë për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike.

Jemi në rrugë të mbarë për të mobilizuar shumën prej 1.2 miliardë euro për rimëkëmbje ekonomike. /Lajmi.net/