Hoti i përgjigjet ministres serbe: Millosheviqi e provoi, por Serbia u largua nga Kosova me bisht ndër shalë

Ministri në detyrë i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës, Andin Hoti, ka reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe Snežana Paunović, e cila tha se, “po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, do të bënte pastrim etnik në Kosovë”. Përmes një reagimi publik, Hoti, djali i veprimtarit të zhdukur Ukshin Hoti, tha se politika…

Lajme

13/07/2026 22:54

Ministri në detyrë i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës, Andin Hoti, ka reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe Snežana Paunović, e cila tha se, “po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, do të bënte pastrim etnik në Kosovë”.

Përmes një reagimi publik, Hoti, djali i veprimtarit të zhdukur Ukshin Hoti, tha se politika e Millosheviqit tashmë ka marrë përgjigjen e saj nga populli i Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare.

“Babai yt ideologjik, Millosheviqi, provoi të njëjtën gjë në Kosovë. Përfundoi para drejtësisë ndërkombëtare, ndërsa Serbia u largua nga Kosova me bisht ndër shalë. Përgjigjja e popullit të Kosovës, e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e botës demokratike dihet”, ka shkruar Hoti.

Ai shtoi se Kosova mbeti e lirë, ndërsa Millosheviqi përfundoi si kriminel lufte.

“Kosova mbeti e lirë. Millosheviqi përfundoi si kriminel lufte dhe sot han dhe. Të njëjtin fat do ta kishe edhe ti, dhe do ta kesh sa herë që tenton”, është shprehur ai.

Hoti ka theksuar se çdo thirrje për spastrim etnik përbën kërcënim jo vetëm për Kosovën, por edhe dëshmi se, sipas tij, Serbia ende nuk është shkëputur nga ideologjia e Millosheviqit.

“Kushdo që sot bën thirrje për spastrim etnik nuk është vetëm kërcënim për Kosovën. Ai është dëshmi se Serbia ende nuk është çliruar nga ideologjia gjenocidale e Millosheviqit dhe nga politika kriminale që solli luftëra, masakra dhe turp historik”, ka përfunduar Hoti. /Lajmi.net/