Hoti dhe Krasniqi koordinojnë bashkëpunimin mes nivelit qendror dhe lokal për punësimin dhe aftësimin profesional

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Andin Hoti, ka zhvilluar takim me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ku kanë diskutuar për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal në fushën e punësimit dhe aftësimit profesional. Hoti ka bërë të ditur se në takim është diskutuar për mënyrën se si, në…

Lajme

12/08/2026 17:55

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Andin Hoti, ka zhvilluar takim me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ku kanë diskutuar për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal në fushën e punësimit dhe aftësimit profesional.

Hoti ka bërë të ditur se në takim është diskutuar për mënyrën se si, në bashkëpunim me komunat, të afrohen më shumë te qytetarët shërbimet dhe mundësitë që ofron Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës.

Sipas tij, diskutimet përfshinë ndërmjetësimin në punësim, orientimin në karrierë, programet e aftësimit profesional dhe masat aktive të tregut të punës.

“Diskutuam për mënyrën se si, në bashkëpunim me komunat, mund t’i afrojmë edhe më shumë te qytetarët shërbimet dhe mundësitë që ofron Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës, nga ndërmjetësimi në punësim dhe orientimi në karrierë, deri te programet e aftësimit profesional dhe masat aktive të tregut të punës”, ka shkruar Hoti.

Ai ka thënë se vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe rritjes së përfshirjes së pjesëtarëve të komuniteteve në tregun e punës.

“Një vëmendje të veçantë i kushtuam rritjes së përfshirjes së pjesëtarëve të komuniteteve në tregun e punës dhe koordinimit me komunat për identifikimin dhe adresimin e nevojave konkrete për punësim dhe aftësim”, ka deklaruar ai.

Hoti ka theksuar se synimi është që mundësitë dhe shërbimet e krijuara në nivel qendror të jenë sa më të qasshme për qytetarët në të gjitha komunat e Kosovës.

“Qëllimi ynë është i qartë: mundësitë që krijojmë në nivel qendror t’i bëjmë sa më të qasshme për qytetarët në secilën komunë të Kosovës”, ka shkruar ministri. /Lajmi.net/