Hoti: Çmimet e konsumit familjar janë dyfishuar, kush mban përgjegjësi?

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar qasjen e qeverisë ndaj politikave ekonomike, duke thënë se suksesi ekonomik nuk duhet të matet vetëm me shifrat e buxhetit, por me ndikimin që ka në jetën e përditshme të qytetarëve. Përmes një postimi, Hoti ka theksuar se, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK),…

Lajme

10/11/2026 11:19

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar qasjen e qeverisë ndaj politikave ekonomike, duke thënë se suksesi ekonomik nuk duhet të matet vetëm me shifrat e buxhetit, por me ndikimin që ka në jetën e përditshme të qytetarëve.

Përmes një postimi, Hoti ka theksuar se, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë pesë vjetëve të fundit kostoja e jetesës është rritur mesatarisht për 45 për qind, ndërsa çmimet e shumë produkteve të konsumit familjar gati janë dyfishuar.

Ai ka vlerësuar se rritja e çmimeve e ka vështirësuar jetën e qytetarëve, duke kritikuar atë që e ka cilësuar si propagandë për sukses ekonomik.

Reagim i plotë:

Buxheti nuk matet me shifrat në letër, por me cilësinë e jetës së qytetarëve
Në pesë vitet e fundit, sipas ASK-së, kostoja e jetesës është rritur mesatarisht për 45%, ndërsa për shumë produkte të konsumit familjar çmimet gati janë dyfishuar.
Kur çmimet dyfishohen, jeta e qytetarëve bëhet më e vështirë. Propaganda për sukses ekonomik nuk e mbush shportën e konsumit të familjeve!
Qeveria mund të prezantojë shifra miliardëshe, por realiteti matet me koston e konsumit familjar, matet me koston që çdo vikend familja paguan në arkën e marketeve.
Debati që duhet të bëhet në Kuvend me rastin e diskutimit të buxhetit 2027-2029 duhet të përqendrohet në këto çështje:
-Çfarë ka ndodhur me koston e jetës së qytetarëve?
-Kush mban përgjegjësi për këtë dhe
-Çfarë mund të bëhet për të lehtësuar këtë barrë?./Lajmi.net/