Hoti: Britania ul taksat për faturat e energjisë, ndërsa në Kosovë qytetarët përballen me rritje të kostos së jetesës
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-kryeministri Avdullah Hoti ka kritikuar Qeverinë për, siç tha ai, mungesën e masave që do të ndihmonin qytetarët përballë rritjes së kostos së jetesës, duke e krahasuar qasjen e saj me vendimet e fundit të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar. Përmes një postimi në Facebook, Hoti tha se…
Lajme
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-kryeministri Avdullah Hoti ka kritikuar Qeverinë për, siç tha ai, mungesën e masave që do të ndihmonin qytetarët përballë rritjes së kostos së jetesës, duke e krahasuar qasjen e saj me vendimet e fundit të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti tha se një nga veprimet e para të kryeministrit të ri britanik ishte ulja e ngarkesave tatimore në faturat e energjisë elektrike, me qëllim lehtësimin e barrës financiare për familjet. Sipas tij, masa të ngjashme janë ndërmarrë edhe nga disa shtete të Bashkimit Evropian.
Ai theksoi se në Kosovë po ndodh e kundërta, duke argumentuar se jo vetëm që nuk janë ulur ngarkesat tatimore për energjinë, por çmimi i saj është rritur disa herë.
“Jo që nuk janë ulur ngarkesat tatimore në faturat e energjisë, por energjia është shtrenjtuar disa herë. Edhe për naftën, rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare është reflektuar drejtpërdrejt te konsumatori. Meqë TVSH-ja llogaritet mbi çmimin e produktit, sa më i lartë çmimi i naftës, aq më e lartë është edhe shuma e TVSH-së që paguan qytetari. Përmes vendosjes së çmimit maksimal ditor, Qeveria zyrtarisht e ka bartur tek konsumatori i fundit rritjen e çmimit të furnizimit të naftës”, ka shkruar Hoti.
Sipas tij, pasojat e mosveprimit të institucioneve nuk kufizohen vetëm te çmimet aktuale, por ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien afatgjatë të familjeve.
Hoti vlerësoi se kur rriten çmimet e të mirave bazë, familjet detyrohen të shkurtojnë shpenzimet për arsim, shëndetësi, cilësinë e ushqimit, kulturë dhe rekreacion, gjë që, sipas tij, mund të ketë pasoja të rënda, veçanërisht për fëmijët dhe familjet me të ardhura të ulëta.
Ai shtoi se në situata të tilla shteti duhet të marrë përsipër një pjesë të barrës financiare përmes uljes së ngarkesave tatimore, duke theksuar se një masë e tillë do të ishte më pak e kushtueshme sesa pasojat sociale dhe ekonomike që mund të krijohen në të ardhmen.
“Në situata të tilla është jetike roli i shtetit për të parandaluar uljen e konsumit të familjeve për të mira elementare. Një qeveri e përgjegjshme këtë e bën duke marrë përsipër një pjesë të rritjes së kostos së jetesës përmes uljes së ngarkesave tatimore për familje. Ulja e barrës tatimore sot është më e lirë për shtetin sesa kostoja që do të paguajmë nesër për familjet që sot detyrohen të heqin dorë nga shumë nevoja”, ka deklaruar ai.
Në fund, Hoti theksoi se qeverisja nuk duhet të vlerësohet vetëm nga të hyrat që mbledh shteti, por mbi të gjitha nga ndikimi që ka në mirëqenien e qytetarëve.
“Qeverisja e mirë nuk matet vetëm me sa të hyra mbledh shteti, por matet me trendin e mirëqenies së qytetarëve”, përfundoi ai. /Lajmi.net/