Hoti: Borrel e Lajçak nuk janë përgjigjur për mos zbatimin e deklaratës së personave të zhdukur

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti deklaroi se Serbia nuk po zbaton deklaratën për personat e gjetur, të nënshkruar me 2 maj në Bruksel. Ai tha se lidhur me këtë u ka dërguar letër ndërmjetësuesve të dialogut, por edhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Para anëtarëve të Komisionit për të Drejtat…

Lajme

23/04/2024 17:03

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti deklaroi se Serbia nuk po zbaton deklaratën për personat e gjetur, të nënshkruar me 2 maj në Bruksel.

Ai tha se lidhur me këtë u ka dërguar letër ndërmjetësuesve të dialogut, por edhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Para anëtarëve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Hoti u shpreh se së shpejti Ligji për Personat e Zhdukur do të jetë për konsultime publike. Opozita kritikoi qeverinë, duke thënë se çështja e personave të zhdukur nuk është prioritet.

Hoti theksoi se gjatë vitit 2023 kanë gërmuar në 15 lokacione në territorin e Kosovës.

“Në ato 15 lokacione, ekipet e ekspertëve edhe të Policisë së Kosovës edhe të Institutit të Mjekësisë Ligjore kanë arritur t’i zhvarrosin mbetjet mortore apo eshtrat të mbi 20 personave. Të gjitha këto janë dërguar dhe testuar dhe janë analizuar nga ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe janë dërguar për analizë të mëtutjeshme në laboratorin e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur që gjendet në Hagë. Janë dorëzuar mbetjet mortore për nëntë persona tek familjarët gjatë vitit 2023. Ndërkaq, sa i përket territorit të Serbisë, fatkeqësisht kemi arritur të jemi vetëm në një lokacion dhe ai quhet Shtavall. Në lokacionin Shtavall kemi qenë nëntor të vitit të kaluar dhe atë siç konsideroj unë ka qenë një gërmim apo një eksumim kështu me sipërfaqe jo me tendencë të plot të Serbisë në gjetjen e asaj varreze masive që ne ende kemi dyshime të plota që mund të jetë për shkak të informacioneve”deklaroi Hoti.

Përkundër deklaratës për personat e pagjetur, Hoti theksoi se Serbia nuk po zbaton marrëveshjen e 2 majit në Bruksel. Ai shtoi se i ka dërguar letër presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për hapjen e arkivave të ushtrisë së brigadës 37 e cika ka operuar në zonën e Drenicës.

“Në shtator të vitit 2023 i kam dërguar letër zotëri Borrel që është ndërmjetësues pikërisht i deklaratës për personat e zhdukur. Në janar të vitit 2024 i kemi përsëritur letrën ndaj zotëri Borrel prapë që është ndërmjetësues dhe zotëri Lajçak për mos zbatim të deklaratës nga ana e Serbisë. Fatkeqësisht as nga Vuçiq që është e pritshme, as nga zotëri Borrel, as nga zotëri Lajçak nuk kam pranuar asnjë dokument deri më sot, asnjë letër deri më sot, asnjë përgjigje deri më sot se pse nuk zbatohet deklarata e personave të zhdukur e cila është miratuar pikërisht me ndërmjetësimin e tyre në Bruksel”,shtoi ai.

Tutje, Hoti theksoi se janë duke punuar në katër lokacione brenda territorit të Kosovës, ndërkaq kanë kërkuar informacione për 16 lokacione në Serbi.

Ai foli edhe për Ligjin për Personat e Pagjetur, për çka tha se shpejti do të jetë në konsultime publike.

“Ligji për Personat e Zhdukur ende nuk është përfunduar. Ligji për Personat e Zhdukur është përfunduar prej neve, prej grupit punues. Shumë shpejt do të jetë pjesë e konsultimeve publike dhe janë këto afatet procedurale dhe ligjore që duhet të ndjekim dhe pastaj do të jetë tek ju në kuvend”theksoi ai para anëtarëve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut.

Kritika për vonesat në Ligjin për Personat e Pagjetur ka pasur deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Ariana Musliu Shoshi.

“Sa i përket iniciativës për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës, ka ngelur pa ndonjë iniciativë dhe mund të them si temë e fjetur nga kjo qeveri. Se sa i kanë dhënë rëndësi mjafton të marrim parasysh faktin që projektligji ka pasur të dorëzohet në maj të vitit 2023, pastaj është shtyrë për nëntor të vitit 2023 dhe është jashtëzakonisht e dhimbshme që ky projektligj tani është në agjendën legjislative tek në dhjetor të vitit 2024. Personalisht dhe si parti jemi jashtëzakonisht të zhgënjyer me mënyrën se si është trajtuar kjo temë jashtëzakonisht e rëndësishme dhe shumë e dhimbshme për shumë ne”,theksoi ajo.

Ndërkaq, kryetari i Këshillit Koordinues të familjarëve të personave të zhdukur, Ahmet Grajqevci, shprehi kritikat e tij për mos punën e institucioneve gjatë këtyre viteve.

“Vuçici gënjeshtrën po e bën të vërtetë, ndërsa ne të vërtetën nuk po mundemi ta them të vërtetë. Politikanët tanë kur shkojnë në Bruksel, çështja e personave të zhdukur shtyhet, ndërsa çështja e dinarit brenda 24 orëve hyn në proces të bisedimeve. Kjo është e tmerrshme”, deklaroi ai.

Teksa përmendi rastet e gjenocidit serb, Grajqevci shtoi se shteti nuk po bën asgjë për dokumentimin e tyre.

“Për herë të parë po e them që 105 trupa rrinë në Kukës të femrave të cilat janë dhunuar në kufi të Shqipërisë dhe janë ekzekutuar dhe i kanë gjuajtur në lum. Këtë për herë të parë po ua them juve, nuk e kam thënë për shkak të raportit të Dick Martyt”, u shpreh ai.

Në Kosovë janë mbi 1600 persona, për të cilët nuk dihet fati i tyre.