Hotelet e motelet përplot me të huaj, Kosova u shndërrua në atraksion të mbi 353 mijë turistëve të huaj brenda 9 muajve të 2025-ës
Edhe pse i mungon deti, Kosova ka një natyrë aq të mrekullueshme saqë kushdo që e viziton mahnitet nga ajo. E jo vetëm kaq. Kultura, ushqimet, vendet e bukura për t’u vizituar e bëjnë vendin tonë shumë të kërkuar. Madje po e vizitoi dikush një herë, sigurisht që hera e dytë dhe e tretë do…
Lajme
Edhe pse i mungon deti, Kosova ka një natyrë aq të mrekullueshme saqë kushdo që e viziton mahnitet nga ajo. E jo vetëm kaq.
Kultura, ushqimet, vendet e bukura për t’u vizituar e bëjnë vendin tonë shumë të kërkuar. Madje po e vizitoi dikush një herë, sigurisht që hera e dytë dhe e tretë do jenë të garantuara për t’u parë.
Por, Kosovës në fakt i mungon shfaqja përpara syve të njerëzve, që ta dinë se është më e bukur se shumë vende të botës.
Turizmi në Kosovë vazhdon të mbetet pikë sfiduese dhe assesi e zhvilluar në kapacitetet e nevojshme – e problematike janë mos-plotësimi i kushteve infrastrukturore në shumë hapësira të bukura siç janë rrugët drejt maleve të Rugovës e Deçanit, Bajgorës e Brezovicës.
Pavarësisht këtyre sfidave, në vitet e fundit turizmi në vendin tonë po shënon rritje të kapaciteteve të zhvillimit e prokalmimit, duke e pozicionuar vendin si një destinacion gjithnjë e më tërheqës për vizitorët vendas dhe të huaj.
Edhe këtë vit, si vitet e tjera, numri i turistëve që kanë vizituar Kosovën ka qenë i lartë duke ndikuar drejtpërsëdrejti në zhvillimin ekonomik të Kosovës, rritjen e bizneseve në vend dhe promovimin e tyre dhe hapësirave përreth.
Vetëm gjatë vitit 2025, saktësisht gjatë 9 muajve të parë, periudhës janar-shtator 2025, në Kosovë kanë ardhur 353 mijë e 383 vizitorë të huaj.
Këto statistika i kanë dhënë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për lajmi.net.
Sipas ASK-së, kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, ka qenë qyteti më i vizituar nga turistët e huaj. Gjatë këtyre 9 muajve, në Prishtinë kanë ardhur 135 mijë e 463 vizitorë të huaj. Pas Prishtinës, të huajt kanë zgjedhur ta vizitojnë Prizrenin. 88 mijë e 493 turistë e kanë vizituar Prizrenin gjatë kësaj periudhe kohore.
Pas Prizrenit, bazuar në numrin e turistëve të huaj, radhitet Peja, Mitrovica, Ferizaj, Gjakova dhe Gjilani.
Përveç të huajve, qytetarët e Kosovës kanë lëvizur nga qyteti në qytet. E për këto vizita, pra saktësisht për vizitorë vendorë, prin qyteti i Pejës me plot 80 mijë e 442 sosh. Pas Pejës, vjen Prishtina, Prizreni, Gjilani, Ferizaj, Mitrovica dhe Gjakova.
Rritja e turistëve në vend, ka ndikuar në pothuajse të gjitha llojet e biznese në Kosovë, e sidomos në atë të hotelerisë.
Gjatë vitit 2025, numri i vizitorëve vendorë në hotele, motele dhe hostele në Kosovë ka qenë 222 mijë e 876 ndërsa i atyre të huaj, ka qenë plot 353 mijë e 383. Gjatë këtij viti, hotelet, motelet dhe hostelet e Kosovës kanë pranuar plotë 576 mijë e 259 vizitorë, apo më shumë se gjysmë milioni njerëz.
Në numrin e turistëve në vend, kanë ndikuar drejtpërdrejt festivalet dhe aktivitetet e ndryshme kulturore të cilat janë mbajtur dhe kanë sjell njerëz nga mbarë vota.
Një ndër këto festivale që ka ngritur lartë Kosovën dhe ka sjellur dhjetëra mijëra njerëz për tri ditë në vend, është festivali “Sunny Hill”.
“Sunny Hill” këtë vit e vendosi Kosovën në një pikë tejet tërheqëse për të huajt. Brenda javës në Kosovë u vendosën mijëra shtetas të huaj nga mbarë bota, që flinin, shëtiteshin, ushqeheshin e festonin SHQIP.
Kulturat e ndryshme që u bashkuan në vendin tonë përgjatë kësaj kohe e bën vendin tonë edhe më të kërkuar për t’u parë nga të tjerët.
Statistikat e vitit 2025 tregojnë qartë se Kosova po e forcon gjithnjë e më shumë pozicionin e saj si një destinacion tërheqës për turistët vendas dhe të huaj. Rritja e vazhdueshme e vizitorëve, aktivitetet kulturore, festivalet ndërkombëtare dhe mikpritja karakteristike kanë kontribuar dukshëm në promovimin e vendit dhe në zhvillimin ekonomik të tij. Me më shumë se gjysmë milioni vizitorë të regjistruar vetëm në hotele dhe struktura akomoduese, turizmi po shndërrohet në një sektor strategjik për Kosovën.
Nëse trendi aktual vazhdon, vitet e ardhshme mund të sjellin edhe më shumë rritje, investime dhe mundësi të reja për bizneset dhe komunitetet lokale. Kosova ka dëshmuar se ka potencial të madh turistik – dhe këto shifra janë vetëm fillimi i asaj që vendi mund të arrijë. /Lajmi.net/