Homan: Përparësi, largimi i emigrantëve që janë kërcënim për sigurinë
Zyrtari kryesor i Presidentit Donald Trump për çështjen e emigrantëve tha gjatë fundjavës se përparësia e administratës është të dëbojë emigrantët pa dokumente, të cilët mendohet se përbëjnë kërcënim për sigurinë e vendit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Veronica Balderas Iglesias, zoti Tom Homan shtoi se emigracioni i paligjshëm në përgjithësi, nuk do…
Bota
Zyrtari kryesor i Presidentit Donald Trump për çështjen e emigrantëve tha gjatë fundjavës se përparësia e administratës është të dëbojë emigrantët pa dokumente, të cilët mendohet se përbëjnë kërcënim për sigurinë e vendit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Veronica Balderas Iglesias, zoti Tom Homan shtoi se emigracioni i paligjshëm në përgjithësi, nuk do të tolerohet
Administrata e Presidentit Donald Trump filloi javën e kaluar dëbimin e qindra emigrantëve që kanë kryer vepra penale, të cilët ndodhen ilegalisht në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, nuk përjashtohet as dëbimi i emigrantëve pa dokumente që nuk kanë kryer vepra penale, tha zyrtari kryesor për këtë çështje Tom Homan gjatë një interviste në emisionin “This Week” të rrjetit ‘ABC’.
“Momentalisht merremi me ata që janë kërcënim për sigurinë publike dhe kombëtare. Ky është një grup më i vogël. Ne do të punojmë sipas një liste prioritetesh, ashtu siç premtoi Presidenti Trump. Ndërsa kjo ndodhë, do të ketë më shumë arrestime në mbarë vendin”, thotë zoti Homan.
Javën e kaluar u hoqën kufizimet për forcat e Agjencisë federale për Zbatimin e Ligjit për Imigracion (ICE) për të kryer bastisje, në kërkim të emigrantëve pa dokumente, në vende si kisha, shkolla dhe spitale. Zoti Homan tha se arrestime të tilla do të kryhen duke trajtuar secilin rast veç e veç.
“Nëse një individ që vlerësohet si kërcënim për sigurinë kombëtare apo publike gjendet brenda një prej këtyre objekteve atëherë agjentët duhet të kenë të drejtën që të bëjnë arrestimin”, thotë zoti Homan.
Paralajmërimet dhe qasja e administratës Trump për imigracionin u kritikuan nga senatorja demokrate Elissa Slotkin.
“Unë mendoj se ky është më shumë një sinjal që t’i bindë njerëzit të mos vijnë në kufi. Administrata Trump është ende në tranzicion, mes fushatës dhe qeverisjes”, thotë senatori Slotkin.
Ushtria amerikane është ngarkuar nga Presidenti Trump për të siguruar kufirin. Avionët ushtarakë amerikanë tanimë përdoren për deportime, por roli i ushtrisë duhet të mbetet në përputhje me Kushtetutën, theksoi senatorja Slotkin.
“Sipas Kushtetutës, ushtria mund të luaj rol mbështetës, logjistik, të ndërtojë objekte afër kufirit e gjëra të tjera. Megjithatë, ushtria nuk duhet të luaj rolin e forcave të rendit”, thotë ajo.
Rreth 1500 trupa ushtarake janë dërguar në kufirin me Meksikën javën e kaluar dhe numri i tyre mund të rritet në ditët në vijim. Zoti Homan tha gjatë fundjavës se prania e trupave dërgon, siç tha ai,“një sinjal të fortë për botën që kufiri ynë është i mbyllur”. VOA