HIV në rritje: 10 raste të reja në pesë muaj në Kosovë
Vetëm në pesë muajt e parë të vitit 2025 në Kosovë janë regjistruar së paku dhjetë raste të reja të infektimit me virusin HIV – shifër kjo që, sipas mjekëve, konfirmon trendin shqetësues të rritjes. Viti i kaluar u mbyll me 34 raste të identifikuara, për dallim nga 2023-ta me 20. Shifrat e fundit janë…

Lajme
Vetëm në pesë muajt e parë të vitit 2025 në Kosovë janë regjistruar së paku dhjetë raste të reja të infektimit me virusin HIV – shifër kjo që, sipas mjekëve, konfirmon trendin shqetësues të rritjes.
Viti i kaluar u mbyll me 34 raste të identifikuara, për dallim nga 2023-ta me 20.
Shifrat e fundit janë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, ku të gjitha institucionet shëndetësore – qofshin publike, apo private – janë të obliguara t’i raportojnë rastet.
Infektologët thonë se numri i rasteve me HIV – virusin që dëmton sistemin imunitar të personit të prekur dhe mund të transmetohet te tjetri përmes shkëmbimit të lëngjeve trupore – është alarmant.
“Nuk ka informim të mjaftueshëm të të rinjve se si bartet ky infeksion. Ndoshta nuk ka as informata se ku duhet dhe ku mund të testohen”, thotë Murat Mehmeti, shef i repartit për sëmundje seksualisht të transmetueshme në Klinikën Infektive në Prishtinë.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai tregon se në këtë klinikë, që funksionon brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, deri më tash këtë vit janë regjistruar dhjetë raste të reja me HIV.
“Vitin e kaluar kemi pasur 29 raste të reja [në Infektive] – një numër shumë më i lartë se në vitin 2023”, thotë Mehmeti, duke shtuar se shumë raste edhe nuk raportohen dhe identifikohen, për shkak të paragjykimeve.
Këtë javë, kur ekipi i REL-it ishte në Infektive, aty ishin të shtrirë dy persona të infektuar në gjendje të rëndë.
Sipas Mehmetit, në këtë klinikë, aktualisht, marrin shërbime dhe terapi rreth 100 të infektuar.
Testimi dhe terapia aty, ashtu sikurse edhe në institucionet tjera publike të Kosovës, ofrohen falas.
“Jetoj me HIV prej më shumë se 20 vjetësh”
Imeri, një pensionist nga Kosova që jeton me HIV prej më shumë se 20 vjetësh, thotë për Radion Evropa e Lirë se momenti kur e ka marrë vesh se është i infektuar, ka qenë një tronditje e madhe për të.
Ai nuk e di saktësisht se si e ka marrë virusin, por dyshon se mund të jetë infektuar kur ka bërë një tatuazh jashtë vendit.
“Po atë ditë, atë gjilpërë e kemi përdorur disa persona”, tregon Imeri.
Prej atëherë, jeta e tij ka ndryshuar rrënjësisht – është përballur me probleme shëndetësore, sociale dhe ekonomike.
Jeton pothuajse i vetëm dhe viziton shpesh Klinikën Infektive në Prishtinë për terapi.
Thotë se, për shkak të kushteve të vështira ekonomike, “ngopet me bukë vetëm kur është në spital”.
Në IKSHPK konfirmojnë për Radion Evropa e Lirë se “ekziston edhe mundësia e testimit anonim dhe pa pagesë”.
Zyrtarët në këtë institut thonë se janë bërë fushata të shumta për rritjen e vetëdijes për këtë virus, sidomos me gjeneratat e reja në shkolla.
Kjo, edhe për faktin se mosha e të prekurve sillet kryesisht nga 20 vjeç e lart.
Edona Dobroshi-Deva, menaxhere e Programit Global për HIV-in në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se rritja e numrit të rasteve me këtë virus, mund të ketë ndodhur për dy arsye: e para, vetëdijesimi i njerëzve për t’u testuar dhe, e dyta, shfaqja e simptomave të virusit, pasi personi mund të jetë infektuar vite më herët.
“Të gjitha evidencat në Kosovë tregojnë se të rinjtë nisin marrëdhënie seksuale në mosha të hershme. Kështu që mendoj se edukimi duhet të fillojë sa më herët”, thotë Dobroshi-Deva për Radion Evropa e Lirë.
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për komente në këtë temë.
Por, në ueb-faqen e kësaj ministrie figuron një dokument strategjik dhe plani i veprimit për kontrollin e disa sëmundjeve, përfshirë HIV-in.
Ministria thotë se synon ta përdorë atë si instrument kyç për “zbatimin efektiv të politikave të parandalimit, kujdesit dhe trajtimit të këtyre infeksioneve”.
Rasti i parë me HIV në Kosovë është paraqitur në vitin 1986. Që atëherë, mbi 50 veta kanë humbur jetën. REL