Historia e shtrëngimit të dorës – Kur nisi dhe pse e bëjmë?

Ky veprim ka ekzistuar që prej kohëve të lashta – por përdorimi i përditshëm ka nisur shumë vonë.

Fun

24/12/2020 11:56

Shtrëngimi i dorës ka ekzistuar në forma të ndryshme për mijëra vite, por origjina është paksa e komplikuar, shkruan “History”.

Një teori e famshme është se ky veprim nisi si metodë për të shfaqur që qëllime paqësore, transmeton lajmi.net. Duke zgjatur dorën e tyre të zbrazët, të panjohurit tregonin se nuk janë duke mbajtur ndonjë armë dhe nuk kishin qëllime të këqija drejt njëri-tjetrit.

Disa sugjerojnë që lëvizja lartë e poshtë ishte për të shkundur ndonjë thikë ose kamë  të fshehur në mëngë.

Disa shpjegime thonë se shtrëngimi i dorës ishte simbol i besimit dhe premtimit ose betimit. Kur duart bashkoheshin, njerëzit ndanin një lidhje të shenjtë së bashku.

Një prej shpjegimeve më të vjetra të shtrëngimit të duarve është gjetur në shekullin e nëntë para erës sonë, ku tregohet mbreti asirian Shalmaneser III duke shtresuar duart me sunduesin babilonian për të vulosur aleancën, transmeton lajmi.net.

Edhe poeti epik Homeri, ka përshkruar shtrëngimin dorës disa herë në veprat e tij Iliada dhe Odisea. Ai e përshkroi atë si veprim për të shfaqur besim.

Ky veprim gjithashtu është gjetur në artin e Greqisë së lashtë rreth shekullit të pestë para erës sonë. Ato u gjetën nëpër gurë të varrit, duke shfaqur të vdekurin dhe ndonjë familjarë të tij duke shtrënguar duart.

Në Romën antike, shtrëngimi i dorës kishte kuptimin e miqësisë dhe besnikërisë. Dëshmi të kësaj janë gjetur në monedhat romane.

Edhe pse ka gjithë këto kuptime, përdorimi i sotshëm nisi shumë vonë. Në shekullin e 17-të, njerëzit filluan këtë veprim, si një alternativë që tregon më shumë barazi sesa përkulja ose lëvizja e kapelës.

Kjo përshëndetje u bë më e zakontë në vitet 1800, kur kishte dhe një udhëzues se si të shtrëngoni dorën dikujt siç duhet.

Në periudhën viktoriane, një shtrëngim dore duhet të jetë i fuqishëm, por jo shumë i fortë, sepse në atë rast ishte ofendim. Edhe shkundja e tepërt e dorës tregonte mungesë respekti.

Në rast se shtrëngimi juaj i dorës nuk i përshtatej normave, atëherë personi të cilin keni ofenduar nuk do iu zgjaste dorën më kurrë. /Lajmi.net/