“Histori dhimbjeje dhe force”, Haxhiu përkujton viktimat e dhunës seksuale
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka bërë homazhe tek memoriali “Heroinat”, duke kujtuar viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në ditën memorial të tyre. Haxhiu tha se u mblodhën këtë të martë për ta përkujtuar dinjitetin dhe sakrificën e viktimave nga dhuna seksuale gjatë luftës së fundit. “Janë histori te thella…
Lajme
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka bërë homazhe tek memoriali “Heroinat”, duke kujtuar viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në ditën memorial të tyre.
Haxhiu tha se u mblodhën këtë të martë për ta përkujtuar dinjitetin dhe sakrificën e viktimave nga dhuna seksuale gjatë luftës së fundit.
“Janë histori te thella të dhimbjes, por edhe të qëndresës dhe forcës së jashtëzakonshme. Vajzat dhe gratë, sikurse djemtë dhe burrat që i mbijetuan kësaj dhune na tregojnë që kemi edhe shumë punë për adresimin e përgjegjësive tona si institucione të Republikës së Kosovës”, tha Haxhiu.
Mes tjerash, ajo bëri të ditur se së fundmi janë ngritur edhe 12 aktakuza për dhunën seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Gjatë kohës së fundit janë ngritur edhe 12 aktakuza për dhunën seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kemi dhe tri vendime të gjykatave, vendime dënuese për rastet e dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë. Dy prej tyre janë në Gjykatën Themelore, ndërsa një ka marrë vendimin e formës së prerë”, shtoi Haxhiu.
U.d. presidentja e vendit ka potencuar se do të vazhdojnë të adresojnë përgjegjësitë për të gjitha krimet e luftës, derisa ka falënderuar organizatat e shoqërisë civile që kanë mbajtur lartë moralin e të gjitha viktimave.
Në fund, ajo kërkoi nga Serbia që t’i hedh para organeve të drejtësisë të gjithë personat që kanë kryer krime lufte./kp