Hiqen disa kufizime për xhamat e errët të automjeteve, vendos Gjykata Supreme
Gjykata Supreme e Kosovës ka shfuqizuar pjesërisht dispozitat e Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme që rregullonin përdorimin e xhamave të errët në automjete, duke vlerësuar se ato nuk kishin bazë të mjaftueshme ligjore. Vendimi është marrë nga Kolegji i Gjykatës Supreme në kuadër të konfliktit administrativ të iniciuar nga OJQ-ja “Marakli t’Kerreve”…
Lajme
Gjykata Supreme e Kosovës ka shfuqizuar pjesërisht dispozitat e Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme që rregullonin përdorimin e xhamave të errët në automjete, duke vlerësuar se ato nuk kishin bazë të mjaftueshme ligjore.
Vendimi është marrë nga Kolegji i Gjykatës Supreme në kuadër të konfliktit administrativ të iniciuar nga OJQ-ja “Marakli t’Kerreve” dhe Instituti “TriPika – Sport, Sociale, Ekonomi” kundër MPB-së, lidhur me ligjshmërinë e nenit 7 të Udhëzimit Administrativ (MPB) Nr. 12/2024 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Udhëzimit Administrativ Nr. 04/2023 për Regjistrimin e Mjeteve.
Pas shqyrtimit publik të mbajtur më 4 qershor 2026, Gjykata ka aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e paditësve dhe ka shpallur të paligjshëm paragrafët 1, 3 dhe 4 të nenit 7 të këtij udhëzimi administrativ.
“Me aktgjykim, Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar paragrafin 1, paragrafin 3 dhe paragrafin 4 të nenit 7 të Udhëzimit Administrativ (MPB) Nr. 12/2024, ndërsa ka refuzuar kërkesëpadinë lidhur me paragrafin 2 të të njëjtit nen”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Sipas Supremes, legjislacioni aktual nuk përmban ndalim të përgjithshëm për vendosjen e materialeve errësuese apo zëvendësimin e xhamave të automjeteve me xhama të errësuar.
“Ligji Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor dhe Ligji Nr. 05/L-132 për Automjete nuk përmbajnë ndalim të përgjithshëm për vendosjen e materialeve errësuese apo zëvendësimin e xhamave të automjeteve me xhama të errësuar”, theksohet në vendim.
Gjykata ka vlerësuar se paragrafi 1 i nenit 7 kufizonte përdorimin e xhamave të errët vetëm për automjetet që i kishin të instaluara nga prodhuesi, ndërsa paragrafi 3 ndalonte në mënyrë të përgjithshme vendosjen e folieve errësuese në xhamat e automjeteve.
Sipas Gjykatës, këto dispozita “nuk përbënin thjesht zbatim apo konkretizim të ligjit, por krijonin kufizime të reja materiale që ligjvënësi nuk i kishte paraparë”.
Po ashtu, është shfuqizuar edhe paragrafi 4, i cili parashihte mundësinë e përjashtimeve me vendim të Ministrit të Punëve të Brendshme.
“Paragrafi 4, i cili parashihte lejimin e përjashtimeve me vendim të Ministrit të Punëve të Brendshme, ishte i lidhur ngushtë me ndalimin e parashikuar në paragrafin 3 dhe, për rrjedhojë, nuk mund të qëndronte në fuqi pasi vetë ndalimi bazë rezultoi i paligjshëm”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës.
Në vendim theksohet se organet administrative kanë të drejtë të nxjerrin akte nënligjore vetëm për zbatimin dhe konkretizimin e ligjit, por jo për të vendosur kufizime të reja.
“Çdo kufizim i të drejtave ose i mundësive të përdorimit të automjeteve duhet të mbështetet në autorizim të qartë ligjor dhe të respektojë parimet e ligjshmërisë, sigurisë juridike dhe proporcionalitetit”, ka vlerësuar Gjykata Supreme.
Gjykata gjithashtu ka konstatuar se dispozitat e shfuqizuara krijonin trajtim të ndryshëm për automjete që ndodheshin në situata të krahasueshme, pa një bazë të qartë ligjore dhe pa u dëshmuar nevoja për një dallim të tillë në interes publik.
Ndërkohë, paragrafi 2 i nenit 7 ka mbetur në fuqi. Sipas Gjykatës, kjo dispozitë ka karakter teknik dhe administrativ, pasi rregullon vetëm evidentimin e xhamave të errët në dokumentacionin e regjistrimit të automjetit dhe nuk krijon ndalime apo kufizime që bien ndesh me ligjin.
Vendimi i Gjykatës Supreme pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në mënyrën e zbatimit të rregullave për xhamat e errët të automjeteve në Kosovë dhe në rishikimin e akteve nënligjore nga institucionet përgjegjëse. /Lajmi.net/