Hiqen barrierat për tur-operatorët mes Shqipërisë dhe Kosovës, pritet të ulen paketat turistike
“Ulen kostot, ndikon në rritjen e numrit të turistëve”. Për të nxitur rritjen e numrit të vizitorëve të huaj, qeveria shqiptare ka vendosur të heqë barrierat burokratike dhe operacionale për agjencitë turistike. Në Fletoren Zyrtare është publikuar ligji për ratifikimin e vendimit të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore…
Lajme
“Ulen kostot, ndikon në rritjen e numrit të turistëve”.
Për të nxitur rritjen e numrit të vizitorëve të huaj, qeveria shqiptare ka vendosur të heqë barrierat burokratike dhe operacionale për agjencitë turistike. Në Fletoren Zyrtare është publikuar ligji për ratifikimin e vendimit të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore “Për lehtësimin e tregtisë së shërbimeve të ofruara nga agjencitë e udhëtimit dhe operatorët turistikë”.
Ai synon të krijojë një regjim të ri lehtësues për bizneset shqiptare të turizmit që duan të operojnë në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Serbi, Bosnje dhe Moldavi, dhe anasjelltas. Me këtë ligj u jepet fund licencave të dyfishta.
“Tashmë një agjenci që operon në Shqipëri mund të hapë filial edhe në vendet e rajonit. Po ashtu kemi më pak burokraci, më pak kosto”, tha Fjorida Zani, turoperatore.
Krahas lehtësive për agjencitë turistike, ky vendim pritet të rrisë edhe numrin e turistëve, falë paketave më të ulëta të shërbimit.
“Pritet të kemi më shumë turistë që vijnë të vizitojnë vendin, pasi kemi edhe paketa për të gjithë Ballkanin”.
Me ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, tashmë në vendet e rajonit operatorët turistikë dhe guidat mund të punojnë përkohësisht në vendet fqinje pa pasur nevojë të hapin zyrë në një vend tjetër. Operatori turistik mjafton të pajiset vetëm me një njoftim elektronik që përmban të dhënat e subjektit, duke lehtësuar lëvizshmërinë e guidave turistike dhe rritjen e tyre./Tv Klan