Hiper produktiviteti i politikës së kotë

Si në familje, ashtu edhe në shtet, kur ka para, dhe kur ato harxhohen me kujdes dhe me maturi, ka rend dhe rregull, ka siguri, ka qetësi.

Opinion

19/08/2015 09:05

Nëse parafrazohet ajo e moçmja e Churchillit, për prodhimin e historisë dhe konsumimin e saj në Ballkan, në rastin e Kosovës, do të mund të thuhej që këndejpari prodhohet shumë më tepër politikë se sa që mund të absorbohet nga shoqëria dhe shteti i Kosovës. Natyrisht, vetë logjika e prodhimit të tepërt të një produkti, sjell zhvlerësimin e tij. Kështu zatën ndodhë edhe me këtë hiper-produktivitetin e politikës në një vend çfarë është Kosova, ku realisht, shënohet edhe një dukuri tjetër: Kjo politikë e bërë me kaq zell, është gjithnjë e më shumë në raporte të shpërputhjes  (dhe përjashtimit) me realitetin dhe kërkesat e tij.

Mbase, nuk ka shpjegim më të mirë se për çfarë bëhet fjalë këtu, se sa rikujtimi i parajmërimit në një Televizion kombëtarë të vendit, të një konference për media të Isa Mustafës, Kryeministrit të Kosovës, të mbajtur pak ditë më parë. Në këtë paralajmërim u tha: Kryeministri Mustafa në këtë paraqitje para gazetarëve, nuk foli as për Gjykatën Speciale, as për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por vetëm për ekonominë.

Kaq ishte puna. Kjo do të thotë që e gjitha ngjarja ishte e kotë. U fol veç për ekonominë.

Kjo është logjika absolutisht mbizotëruese në politikën dhe gazetarinë kosovare.

Diçka e tillë, objektivisht, është e paimagjinueshme në demokracitë perëndimore. Pos në rastet shumë të veçanta, kur shteti përballet me kërcënimet në fushën e sigurisë, nuk ka temë më të rëndësishme për politikanët dhe qytetarët e rëndomtë të një demokracie, se sa ekonomia.

Suksesi dhe dështimi i një Qeverie, sërish, pos në rrethanat e jashtëzakonshme, matet me statistikat ekonomike: Me shkallën e rritjes së GDP-së  (Bruto Prodhimit vendor), me rrogat mesatare, me normën e papunësisë, me nivelin e borxhit të shtetit, me investimet nga jashtë, me importin dhe eksportin, me zvogëlimin e evazionit fiskal.

Si në familje, ashtu edhe në shtet, kur ka para, dhe kur ato harxhohen me kujdes dhe me maturi, ka rend dhe rregull, ka siguri, ka qetësi.

Në Kosovë, kur bëhet fjalë për këto statistikat vitale ekonomike, nuk kemi siguri fare se për çka bëhet fjalë. Ta zëmë, kemi supozime për shkallën e papunësisë. Kemi dallime substanciale për normën e rritjes ekonimike të vitit 2014. Kemi probleme edhe me mënyrën se si mbërrijmë tek shifrat finale në matjen e GDP-së. Kemi hamendësime për masën e evazionit fiskal. E dimë, natyrisht, se sa është Buxheti i Kosovës në këtë vit, dhe sa do të jetë vitin vijues. Kemi marrë vesh që ky stabilitet i brishtë social në vend, mbi të gjitha mbahet gjallë falë parave që në Kosovë i dërgojnë shqiptarët që jetojnë dhe punojnë jashtë. Vitin e kaluar, kanë dërguar mbi 690 milionë Euro me ‘letra’  (si thuhet). Shuma reale e dërgesave financiare me siguri kapë dyfishin e kësaj shume. Kjo do të thotë që shqiptarët që jetojnë në Perëndim, fitojnë, për një vit, më shumë para se sa që është GDP-ja e Kosovës  (mbi 5 miliardë Euro), apo sa i gjithë prodhimi në Kosovë.

E dimë, poashtu, që për ta zbutur papunësinë në vend, duhet ecur me së paku 7-8% të rritjes ekonomike për çdo vjet. Poashtu, kemi kuptuar që tek me dyfishimin e buxhetit (për të mbërri diku tek tre miliardë Euro), mund të kemi një qëndrueshmëri ekonomike. Kemi mësuar që këto synime nuk mund të arrihen dot pa pasë investime të mëdha nga jashtë, pa hapur (përfundimisht), ‘kantierin’ e energjetikës dhe të mineraleve, pa zvogëluar në mënyrë drastike korrupsionin.

Nuk është pra vështirë të mësohen dhe të kuptohen gjërat më të rëndësishme të ekonomisë kosovare. Por ja që ndër ne, ekonomia bëhet prioritet, vetëm në ato pak javë të fushatës parazgjedhore, kur ndodhë shtyrja marramendëse midis partive politike se kush do të krijojë më shumë vende pune dhe kush do ta rrisë pagën mesatare në Kosovë. Zatën, kush më mirë se sa këto shifra parazgjedhore, nuk tregojnë se sa jemi serioz në trajtimin e ekonomisë kosovare.

Është lehtë e parashikueshme që kjo do të jetë qasja e partive politike edhe në zgjedhjet e ardhshme nacionale, kurdo që do të mbahen ato.

Po ashtu, këtë shkallë të parashikimit të saktë, e ka edhe tendenca, gjithnjë e më evidente, e degradimit të politikës kosovare, nëse nuk ndodhë kthimi rrënjësor kah preokupimi thelbësor me ekonominë kosovare.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)