Hidhet bombë me telekomandë në auto-sallonin e Andi “Italianit” – i dyshuar për vrasje

Mëngjesin e sotëm, policia njoftoi për një rast të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm në magjistralen Prishtinë – Ferizaj. Atje, pranë një autosalloni është vendosur një mjet shpërthyes, shkruan lajmi.net. Siç mëson lajmi.net, mjeti shpërthyes është hedhur pranë autosallonit “Auto MK”, që është në pronësi të Andi Pajazitit, apo i njohur si “Italiani” i cili…

Lajme

10/01/2024 14:02

Mëngjesin e sotëm, policia njoftoi për një rast të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm në magjistralen Prishtinë – Ferizaj.

Atje, pranë një autosalloni është vendosur një mjet shpërthyes, shkruan lajmi.net.

Siç mëson lajmi.net, mjeti shpërthyes është hedhur pranë autosallonit “Auto MK”, që është në pronësi të Andi Pajazitit, apo i njohur si “Italiani” i cili ishte i përfshirë në rastin në “Bon Vivant” në të cilin dyshohet për vrasje.

Në “Auto MK”, Andi Pajaziti ka 50% të vlerës së aksioneve, teksa pjesa tjetër është në pronësi të vëllaut të tij.

Në raportin zyrtar, policia ka thënë se bomba në fjalë ishte e improvizuar me detonator dhe telekomandë.

E njëjta ishte future në qese.

“Më 09.01.2024 ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se mbi kioskën që shërben si zyre, ka vërejtur dy qese në të cilat dyshohet se ka mjet shpërthyes. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore, ndërsa njësiti për deminim ka tërhequr mjetin e dyshuar –bombë e improvizuar me detonator dhe telekomandë. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Kush është Andi Pajaziti?

Pajaziti dyshohet për privimin nga jeta të Kastriot Ramadanit, i cili fillimisht mbeti i plagosur në lokalin “Bon Vivant” ndërsa disa orë më vonë i njëjti vdiq pas plagëve të marra në pjesën abdominale të trupit.

Përveç në rastin në “Bon Vivant” emri i “Italianit” ishte përmendur edhe në disa veprime të tjera kriminale, kryesisht përleshje e gjuajtje me armë.

Deri në gusht të vitit të kaluar, “Italiani” kishte tri aktakuza aktive.

I njëjti njihej për miqësi të ngushtë me “Llepotën”, një nga të ashtuquajturit “mafiozë” të Prishtinës që gjithashtu ka një numër të madh të veprave penale për të cilat dyshohet. /Lajmi.net/