Hetohet ish-kryeinspektori i Ndërtimeve
Ish kryeinspektori i Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, Ismet Haliti, dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare. Haliti, dhëndri i ish kryetarit të Komunës, Isa Mustafa, bashkë me zyrtarë të tjerë janë nën hetime për krime ekonomike që nga viti 2011.
Lajme
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet ndaj ish-kryeinspektorit të Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, Ismet Haliti, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale, Keqpërdorim i detyrës zyrtare.
Vet, Kryeprokurori Imer Beka e ka konfirmuar se ndaj këtij personi janë nisur hetimet, të cilat kanë ardhur si pasojë të ngritjes së kallëzimit penal nga Policia.
“Hetimet për lejet e ndërtimit janë aktuale. Ne e kemi një kallëzim penal tani për inspektorin komunal të Ndërtimit, Ismet Haliti. Kallëzimi penal e ka ngritur policia dhe unë e dërgova rastin te prokurorja Ferdane Sulejmani”, ka thënë për KosovaSot, Imer Beka.
Ndërkaq, prokurorja e këtij rasti, Ferdane Sulejmani ka thënë se këtij rasti do t’i japin prioritet.
“Çështja veç sa ka ardhur, mandej lënda ende nuk ka numër. Unë akoma nuk i kam lexuar shkresat, por me siguri do t’i japin prioritet kësaj lënde. Ai (Ismet Haliti) akuzohet për shpërdorim të detyrës zyrtare”.
Hetimet për zyrtarë komunal, që në mesin e tyre ishte përfolur edhe emri i Ismet Halitit, që ndryshe njihet edhe si dhëndri i ish kryetarit të Komunës, Isa Mustafa, kanë nisur nga njësia e krimeve ekonomike që në vitin 2011.
Vetëm nga Inspektorati i Ndërtimit, në njëstimin për krimet ekonomike, deri më tani janë dërguar 50 lëndë.