Hetimet para për keqpërdorimin e zgjedhjeve

Prokuroria Themelore në Gjilan dhe ajo në Pejë kanë nisur hetimet për gjithsej 7 persona të cilët dyshohet se kanë shtrirë ndikimin e tyre tek votuesit. Me këtë, prokurorët kanë marrë vendim se të dyshuarit duhet të hetohen.

Lajme

31/10/2013 17:39

Janë paraqitur rastet e para të dyshuara për manipulim me procesin zgjedhor. Në kohën kur na ndajnë edhe dy ditë nga data e zgjedhjeve lokale, kanë filluar hetimet ndaj 3 personave në komunën e Gjilanit dhe 4 në Pejë të dyshuar se kanë ndikuar në procesin zgjedhor.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka marrë sot aktvendim për fillimin e hetimeve kundër tre personave, nën dyshimin se kanë cenuar përcaktimin e lirë të votuesve në komunën e Parteshit.

Prokurorët e shtetit në kuadër të detyrimeve ligjore që kanë, lidhur me Zgjedhjet Lokale 2013, gjatë ditës së sotme kanë punuar edhe në dy raste të reja, të cilat kanë të bëjnë me veprat penale kundër të drejtave të votimit.

“Prokuroria Themelore në Gjilan ka marrë sot aktvendim për fillimin e hetimeve kundër tre personave, pasi që ekziston dyshimi i arsyeshëm se më datë 30.10.2013, në fshatin Partesh, bashkërisht kanë cenuar përcaktimin e lirë të votuesve, me çfarë dyshohet se kanë kryer veprën penale Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve, nga neni 213 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga zyra e Prokurorit të Shtetit .

“Prokuroria Themelore në Gjilan, lidhur me këtë rast, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Gjilan që ndaj dy të pandehurve të caktoj masën e paraburgimit, ndërkaq, ndaj të pandehurit të tretë të caktoj masën e arrestit shtëpiak”.

Ndërsa Prokuroria Themelore në Pejë, ka nisur hetimin për katër persona të cilët në mënyrë të kundërligjshme kanë publikuar materiale degraduese në rrjetin social Facebook kundër disa përfaqësuesve partiak të cilët kandidojnë në këto zgjedhje.

“Prokuroria Themelore në Pejë, po sot ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve kundër katër personave, pasi që ekziston dyshimi i arsyeshëm se më datë 27.10.2013, në Pejë, në mënyrë të kundërligjshme kanë publikuar materiale degraduese në rrjetin social Facebook, me qëllim të pengimit të të dëmtuarave për tu kandiduar, me çfarë dyshohet se kanë kryer veprën penale – Cenim i të drejtës për tu kandiduar, nga neni 210 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

“Prokuroria Themelore në Pejë, lidhur me këtë rast, kundër njërit të pandehur ka caktuar masën e ndalimit policor”.

“Prokurori i Shtetit inkurajon qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, në Policinë e Kosovës, apo përmes numrit telefonik 192, numër zyrtar i Policisë së Kosovës, çdo rast për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë”.