Hetimet në Liqenin e Ujmanit – Policia e konfirmon: Tela të zhytur në ujë, por pa rrezik për qytetarët

Prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe Policia e Kosovës kanë zhvilluar një hetim të përbashkët pas deklarimeve publike të kryetarit të Shoqatës së Peshkatarëve të Kosovës, i cili më 30 korrik 2025 deklaroi në media se në Liqenin e Ujmanit ishin vërejtur tela elektrikë të zhytur në ujë, të cilët, sipas tij, mund të përbëjnë rrezik…

Lajme

01/08/2025 08:08

Prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe Policia e Kosovës kanë zhvilluar një hetim të përbashkët pas deklarimeve publike të kryetarit të Shoqatës së Peshkatarëve të Kosovës, i cili më 30 korrik 2025 deklaroi në media se në Liqenin e Ujmanit ishin vërejtur tela elektrikë të zhytur në ujë, të cilët, sipas tij, mund të përbëjnë rrezik për jetën e qytetarëve.

Personi në fjalë është intervistuar nga autoritetet në cilësinë e dëshmitarit dhe ka sqaruar se telat janë vërejtur gjatë një aksioni për largimin e varkave pa leje. Ai ka shtuar se telat mund të paraqesin rrezik nëse aktivizohen. Policia ka pranuar edhe një video lidhur me rastin, ndërkohë që njësitë e kontrollit kufitar ujor kanë kryer një inspektim të menjëhershëm në terren, transmeton lajmi.net

Pas kontrollit, është konstatuar se telat nuk janë të lidhur me ndonjë burim energjie elektrike dhe nuk përbëjnë rrezik për qytetarët. Po ashtu, Policia e Kosovës thekson se nuk ka pranuar më parë ndonjë raportim të ngjashëm për këtë çështje.

Pas shqyrtimit të të gjitha provave dhe informatave, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka vlerësuar se nuk ka elemente të ndonjë vepre penale. Policia u bën thirrje qytetarëve që të mos ndihen të frikësuar dhe garanton se çdo rast i dyshuar do të trajtohet me seriozitet. Patrullimet në Liqenin e Ujmanit do të vazhdojnë me qëllim të garantimit të sigurisë publike.

Njoftimi i plotë: 

KOMUNIKATË E PËRBASHKËT NGA PROKURORIA THEMELORE NË MITROVICË DHE POLICIA E KOSOVËS
Mitrovicë Veri
Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri, nën autorizimin e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, më 30.07.2025 ka nisur hetimin lidhur me deklarimet e kryetarit të Shoqatës së Peshkatarëve të Kosovës.
Më 30.07.2025, i njëjti ka deklaruar në media se në Liqenin e Ujmanit janë vërejtur tela elektrikë të zhytur në ujë, të cilët, sipas tij, paraqesin rrezik për jetën e qytetarëve.
I njëjti është intervistuar sot në cilësinë e dëshmitarit, ku ka deklaruar se gjatë një aksioni për largimin e varkave pa leje, ka vërejtur tela në ujë dhe se, nëse aktivizohen, mund të paraqesin rrezik për qytetarët.
Policia ka pranuar edhe një video në lidhje me këtë rast. Menjëherë pas pranimit të informacioneve, njësia e kontrollit kufitar ujor ka kryer kontrolle në terren, ku është konstatuar se këta tela nuk janë të lidhur me energji elektrike dhe nuk paraqesin rrezik.
Gjithashtu, Policia e Kosovës nuk ka pranuar as më parë ndonjë rast të raportuar në lidhje me këtë çështje.
Pas analizimit të të gjitha provave dhe informacioneve, Prokuroria Themelore Mitrovice ka vlerësuar se nuk ekzistojnë elemente të ndonjë vepre penale.
Policia e Kosovës apelon te qytetarët që të mos shqetësohen dhe të mos ndihen të frikësuar, pasi çdo rast i dyshimtë do të trajtohet me kujdes dhe seriozitet maksimal.
Njësitë përkatëse të Kontrollit Kufitar Ujor, si dhe njësi të tjera policore, vazhdimisht kryejnë patrullime të rregullta në Liqenin e Ujmanit, me qëllim të garantimit të sigurisë së qytetarëve dhe monitorimit të situatës në terren./lajmi.net/