Hetim Paralmentar për PTK’në

Kuvendi mblidhet nesër në seancë të jashtëzakonshme pas kërkesës së LDK’së dhe Vetëvendosjes. Pritet të themelohet një Komision Parlamentar për ta hetuar procesin e privatizimit të PTK’së.

Lajme

02/10/2013 12:13

Kryesia e Kuvendit ka vendosur që nesër të mbahet një seancë e jashtëzakonshme me kërkesë Grupit Parlamentar të LDK’së, të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe disa deputetëve, për të krijuar një Komisioni Hetimor Parlamentar për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të PTK’së.

Kërkesa është shkruar nga 40 deputetë dhe në të precizohet se Komisioni Hetimor do të ketë mandatin kohor të punës, konform ligjit (prej gjashtë muajsh) dhe të përbëhet nga 11 anëtarë, të cilët pritet të emërohen në seancë nga të gjitha Grupet Parlamentare.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK’së, Ismet Beqiri, e cilëson si të paligjshme mënyrën se si është provuar të bëhet privatizimi i PTK’së.

“Ne nuk jemi kundër privatizimit, por jemi kundër mënyrës së paligjshme të privatizimit. Të gjithë e dinë tentimiin e Qeverisë dhe të gjithë atyre që janë të involvuar në këtë proces që kjo të bëhet pa vendim të Kuvendit, gjë që është kundër ligjit për ndërmarrjet publike”.

Deputetët e AAK’së nuk i kanë dhënë firmat e veta për këtë kërkesë, ndaj Beqiri ka shprehur keqardhje për këtë. AAK thotë se LDK dhe Vetëvendosje po bëjnë fushatë zgjedhore me këtë kërkesë.

“Mua më vjen keq nëse ka thënë AAK kështu. Po pikërisht pasi e paskan thënë këtë, atëherë ata po bëjnë fushatë”.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Adem Grabovci, ka thënë se e respekton të drejtën e Grupeve Parlamentare për seancë të jashtëzakonshme.

“Absolutisht ne jemi të gatshëm që jo vetëm për këtë çështje, por për çdo çështje dhe për çdo shqetësim që ka nevojë të hetohet. Ne jemi të gatshëm si Parti Demokratike të japim mbështetjen për të hetuar dhe për të pasqyruar të vërtetën”.

“Po shihet qartë pa fajin tonë, me keqardhje them, që ky proces po shkon drejt dështimit dhe dëmet do të jenë jashtëzakonisht të mëdha për ekonominë e Kosovës. Besoj se dikush duhet t`i marrë këto përgjegjësi”.

Grabovci ka përjashtuar mundësinë që dështimi i privatizimit të PDK’së të çojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Nuk mund të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, sepse nuk ka nevojë. Nuk shoh ndonjë arsye”.

“Një proces që fillon duhet të përfundojë. Komisioni Hetimor do ta bëjë punën e vet dhe PDK do ta mbështesë fuqishëm për ta zbardhur të vërtetën”, tha Grabovci.