Heshtja institucionale kaplon vendin- askush s’e thotë asnjë fjalë për vdekjen tragjike e të dyshimtë të Agon Zejnullahut
Pavarësisht se i gjithë vendi u trondit dje nga një ngjarje e rëndë që ndodhi mesnatën e 7 korrikut- një heshtje e gjerë ka kapluar institucionet e vendit. Agon Zejnullahu është 27 vjeçari që vdiq në rrethana të dyshimtë në kohën kur zyrtarët policorë kishin intervenuar për të arrestuar atë në një prej rrugëve të…

Lajme
Pavarësisht se i gjithë vendi u trondit dje nga një ngjarje e rëndë që ndodhi mesnatën e 7 korrikut- një heshtje e gjerë ka kapluar institucionet e vendit.
Agon Zejnullahu është 27 vjeçari që vdiq në rrethana të dyshimtë në kohën kur zyrtarët policorë kishin intervenuar për të arrestuar atë në një prej rrugëve të Lipjanit.
Si fillim rasti u raportua si vdekje e dyshimtë derisa thuhej se policia kishin intervenuar për ta arrestuar të dyshuarin për të cilin u ankuan qytetarët se po thyen veturat e po i sulmon ata.
Por anipse rasti kishte ndodhur në ora 00:15 dhe i riu vdiq në rrugë, Policia nuk e kishte njoftuar fare Inspektoratin deri në orët e para të ditës së hënë.
Krejt kjo amulli e bëri edhe më të dyshimtë rastin- që del të jetë “Vrasje nga pakujdesia”.
Pesë zyrtarë policorë të Kosovës tanimë janë ndaluar dhe suspenduar nga vendi i tyre i punës.
Trupi i pajetë i Zejnullahut ishte dërguar në IML për obduksion, derisa nga Prokuroria sot kanë bërë të ditur për lajmi.net se të njëjtit “rrezikojnë” edhe masën e paraburgimit.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Prokurori i shtetit brenda afatit ligjor do të parashtroj kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve për veprën penale ”Vrasje nga pakujdesia” bazuar nga neni 175 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.Për më shumë informacione ju njoftojmë me kohë”.
E rasti i Agon Zejnullahut del të jetë tejet i rëndë.
Pavarësisht se kanë kaluar mbi 24 orë- ende askush nga zyrtarët e lartë shtetërorë nuk është deklaruar.
Deklarim publik nuk bëri as drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, as ministri i Punëve të Brendshme- Xhelal Sveçla, e as kryeministri i vendit, Albin Kurti- e asnjë fjalë s’e pati as presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Heshtje e plotë ka kapluar gjithë krerët e institucioneve përkatëse të sigurisë, edhe pse një 27 vjeçar humbi jetën në rrethana tejet të rënda.
Videot e publikuara nga kjo ngjarje shfaqin momentin kur viktima në këtë rast ishte i mbuluar nga zyrtarët policorë dhe i njëjti mezi lëvizte vetëm këmbën.
E gjithë kjo situatë e bën edhe më të komplikuar rastin- për të cilin siç duket askush ende nuk u deklarua.
Derisa Prokuroria e Shtetit po merret nga afër me hetimet, nga familja e viktimës deklaruan se ai u “vra nga duart e shtetit”- apo nga zyrtarët policorë që parashihet t’ua ofrojnë sigurinë e nevojshme qytetarëve./Lajmi.net/