“Heroi i padukshëm i kazanit”, rrëfimi i punëtorit të KEK: S’kemi kushte, po na dëmtohet shëndeti

Po del nga zemra e kazanit, aty ku nxehtësia nuk matet me termometër por me frymëmarrje. Gëzim Selmanaj futet thuajse çdo ditë për të mbajtur në jetë një sistem të tërë që prodhon dritë për të tjerët. Vetëm siguri në të nuk ka, por ka zë. E ai zë, sot ka dalë nga kazani për…

Lajme

23/06/2025 20:40

Po del nga zemra e kazanit, aty ku nxehtësia nuk matet me termometër por me frymëmarrje.

Gëzim Selmanaj futet thuajse çdo ditë për të mbajtur në jetë një sistem të tërë që prodhon dritë për të tjerët.

Vetëm siguri në të nuk ka, por ka zë. E ai zë, sot ka dalë nga kazani për të treguar se për dikë, drita nuk kushton me para, por me shëndet e durim.

“Pamja ime fizike është pjesë e kazanit, pjesë e sistemit gypor ku mbushen gypat me ajër. Është përgjegjësi e imja që të identifikoj dëmet brenda gypit, pasi të ftohet për 24 orë. Rrobat që u shqyen janë si pasojë e ngushticës së hekurt. Na dëmtohen rrobat por edhe shëndeti sepse ka gazra të dëmshme që thithim…”, tha Gëzim Selmanaj, punëtor i kazanit në KEK.

Mungesa e kushteve tregohet qartë në videon e publikuar të Selmanit nga Sindikata e Re e KEK-ut.

Ajo është dëshmi e një sistemi që punëtorëve u kërkon të jenë të pathyeshëm edhe kur i dërrmon.

“Ato maskat që i përdorum, e kam hudh brenda ende pa dal jashtë sepse isha duke u ngulfatur nga temperaturat e larta. Jepen tendera për pajisje mbrojtëse por shumëherë vonohen, s’është se nuk na furnizojnë por rrobat mund të vijnë më speciale. Kemi garderobë të dobët që nuk na mbron nga rrezatimi dhe gazrat. Maska me ventilim nuk kem, më shumë kemi maska që kemi përdorur gjatë kohës së Covidit, maska një përdorimshme. Rrezikshmëri ka por punën e bëj me vullnet të mirë dhe përkushtim”, tha Gëzim Selmanaj, punëtor i kazanit në KEK.

Heroi i padukshëm i kazanit, siç edhe njihet tashmë, ai ka vetëm një kërkesë.

Që KEK-u të mos jetë thjesht një burim drite për vendin, por edhe një vend pune që i mbron ata që e mbajnë në këmbë.

“Garderoba psh është vend i ulët, kisha kërku aty kushte më komode. Kërkesë për bordin, pa përfshirë politike sepse jam apolitik, punën e bëj me vullnet dhe përkushtim, duam investime. Mos të mbesim në rrugë, mos të bëhemi shërbëtor të shteteve evropiane. Edhe në familje më thonë “mirë në KEK, punë e shtetit”. S’vlen ajo që je në KEK e kushtet e mira. Sepse me 800 euro e 6 anëtarë s’mund ta bësh një mini lluks. Jam krenar që jam pjesë e KEK-ut, por s’thuhet se i kemi kushtet e mira, të largohet ai mendim sepse nuk vlen. Kem rrezikshmëri, sfida, vuajtje si punëtor”, tha Gëzim Selmanaj, punëtor i kazanit në KEK.

Pas secilit kilovat energji që ndriçon në shtëpitë tona, është një punëtor si Gëzimi që pa siguri, errësirën e takon çdo ditë, me asgjë tjetër përpos vullnetit në shpinë.