Heqja e TVSH-së për shportën e konsumatorit do ta lehtësonte jetesën

Kosova është i vetmi shtet në rajon që ende nuk e ka bërë përshkallëzimin e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH).

Lajme

12/03/2015 17:59

Ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të organizatave për mbrojtjen e konsumatorit i bëjnë thirrje Qeverisë së Kosovës që të iniciojë masat legjislative për zbritjen, apo heqjen e këtij tatimi nga produktet bazike të shportës së konsumatorit.

Në Kosovë TVSH-ja zbatohet prej 1 korrikut të vitit 2001. Norma e TVSH-së është 16 për qind për të gjitha mallrat, pa marrë parasysh origjinën e tyre.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se përqindja e njëjtë e tatimit si për mallra luksoze, si për produktet bazike jetësore, është i dëmshëm edhe për bizneset edhe për qytetarët.

“Unë inkurajoj qeverinë që sa më shpejt të bëjë përshkallëzimin e TVSH-së, në mënyrë që produktet bazike ekzistenciale për jetën e qytetarëve të Kosovës të mund të blihen pa TVSH, apo me TVSH të zbritur”, tha ai.

Në programin e Qeverisë së Kosovës është theksuar se gjatë pjesës së parë të mandatit (dyvjeçar) do të konsiderohet përshkallëzimi i TVSH-së. Ulja e normës së këtij tatimi mund të bëhet për produktet bazike si buka, qumështi, vaji i ushqimit, uji i pijshëm dhe disa produkte të tjera.

Sipas Gashit, procesi i përshkallëzimit të TVSH-së mund t’i ketë disa mangësi, sepse Administrata Tatimore dhe Dogana nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për realizimin e një projekti të tillë.

“Ideja e përshkallëzimit të TVSH-së, daton qysh nga koha e UNMIK-ut, mirëpo gjithmonë arsyetimet kanë qenë se përmes përshkallëzimit të TVSH-së, shtohet mundësia e korrupsionit në ATK dhe Doganë, për arsye se ne mund të fusim mallra luksoze dhe t’i faturojmë ato sikur mallra që janë të liruara nga TVSH-ja. Këtu ekziston rreziku i krijimit të hapësirës për korrupsion”, vlerëson Gashi.

Edhe kryetari i OJQ-së “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku dyshon se përshkallëzimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për produktet elementare për jetesë mund të keqpërdoret nga individë të caktuar.

“Ne kemi sistem juridik jashtëzakonisht të brishtë, kemi një zbatueshmëri të ligjit jo më shumë se 40 për qind dhe kjo dëshmon se ne e kemi ngritur individin mbi ligjin dhe derisa është kjo klimë, ne nuk mund të shpresojmë se vendimi apo ligji për përshkallëzimin e TVSH-së mund të japë rezultate”, thekson Kaçaniku.

Heqja apo edhe zbritja e TVSH-së për shportën ushqimore do të siguronte një mirëqenie më të mirë për qytetarët e Kosovës.

Kompensimi nga ky lirim tatimor vlerësohet se do të mund të arrihej me ngritjen e tatimit të produkteve të luksit, siç janë duhani dhe alkooli.