Helmimi i dyshuar në Han të Elezit e Prishtinë, AUV paralajmëron masa nëse konstatohen shkelje

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se ka intensifikuar kontrollet zyrtare pas rasteve të raportuara për dyshime të helmimit të qytetarëve në Prishtinë dhe Han të Elezit. Sipas komunikatës, inspektorët veterinarë kanë ndërmarrë kontrolle emergjente në të dy lokacionet për të mbështetur institucionet kompetente në identifikimin e shkaktarit të mundshëm dhe mbrojtjen e…

Lajme

15/07/2026 19:15

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se ka intensifikuar kontrollet zyrtare pas rasteve të raportuara për dyshime të helmimit të qytetarëve në Prishtinë dhe Han të Elezit.

Sipas komunikatës, inspektorët veterinarë kanë ndërmarrë kontrolle emergjente në të dy lokacionet për të mbështetur institucionet kompetente në identifikimin e shkaktarit të mundshëm dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

Gjatë inspektimeve janë kontrolluar kushtet higjieno-sanitare, procedurat e vetëkontrollit të operatorëve, dokumentacioni përkatës, gjurmueshmëria e produkteve dhe lëndëve të para, ndërsa janë marrë edhe mostra zyrtare për analiza laboratorike mikrobiologjike.

Në Prishtinë, AUV ka marrë mostra të sosit të bardhë, qumështit dhe vezëve, ndërsa në Han të Elezit është marrë mostër e majonezës nga objekti i shërbimit.

“Mostrat janë dërguar në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë, ndërsa mostra e vezëve është dërguar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, sipas procedurave të përcaktuara”, thuhet në komunikatë.

Agjencia ka bërë të ditur se analizat laboratorike janë ende në proces dhe se pas përfundimit të tyre do të hartohet raporti përfundimtar, i cili do t’i bëhet publik.

“Nëse konstatohen shkelje të legjislacionit në fuqi ose rrezik për shëndetin publik, do të ndërmerren pa vonesë masat administrative dhe ligjore ndaj operatorëve përgjegjës”, thekson AUV.

Në komunikatë rikujtohet se siguria ushqimore është përgjegjësi e operatorëve të biznesit ushqimor, të cilët kanë obligim ligjor të garantojnë që produktet e vendosura në treg të jenë të sigurta për konsum.

Po ashtu, AUV u ka bërë thirrje qytetarëve që gjatë blerjes së produkteve ushqimore të kontrollojnë etiketimin, afatin e përdorimit dhe kushtet e ruajtjes, ndërsa operatorëve u kërkon respektimin rigoroz të standardeve të sigurisë ushqimore, veçanërisht gjatë sezonit veror.

Agjencia ka paralajmëruar se kontrollet e intensifikuara do të vazhdojnë në të gjithë territorin e Kosovës, ndërsa çdo shkelje e legjislacionit do të trajtohet në përputhje me ligjin. /Lajmi.net/