Hekuran Kryeziu dhe Kadri Veseli dorëzojnë çelësat e shtëpisë së re për familjen Gashi në Janjevë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli kishte propozuar para gati një viti që Kombëtares së Kosovës në futboll t’i ndahen 500 mijë euro si premi për sukseset në Ligën e Kombeve.

Lajme

02/08/2019 14:59

Dhe futbollistët e kombëtares kishin vendosur që secili të ndajë një shumë nga mjetet e ndara, që familjes së Lulzim Gashit në Janjevë t’i ndërtohej shtëpia, pasi ishin në kushte të renda.

Dhe sot, shtëpia e re e kësaj familjes u hap. Ajo u ndërtua me mbështetjen edhe të humanistit Halil Kastratit, raporton EO.

Në ndarjen e çelësave për familjarët ishin prezent Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, futbollisti i kombëtares, Hekuran Kryeziu, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe humanisti Halil Kastrati.

Kryetari Veseli e vlerësoi lartë iniciativën e futbollistëve tanë.

“Ky është shpirti dhe dinjiteti i djemve tanë, kampionëve tonë, që ndajnë çdo gjë me të tjerët, nuk mendojnë veç për vete. Kjo duhet të ndodh edhe më shumë në Kosovën tonë, që njerëzit tanë me qenë më afër t’i ndihmojnë njëri-tjetrit”, tha ndër të tjera Veseli.

Futbollisti Hekuran Kryeziu tha se ndjehet I lumtur që kanë mundur bashkërisht të ndihmojnë një familje.

“Shumë jam i emocionuar sepse e di qysh janë rrit familja ime, prindërit e mi. Ka startuar projekti me kryetarin e parlamentit dhe me pas ne edhe bashkë me kryetarin e Federatës që na e ka bo të mundshme me i ndihmu kësaj familje. Unë e kom fatin që mundem me qenë sot këtu, normalisht është dashtë me qenë edhe kapiteni jonë Samir Ujkani, I cili e ka pas këtë ide. Jam shumë i kënaqur qysh ka ndodhë”, ka thënë Kryeziu.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, falënderoi kryetarin për mbështetjen e dhënë për kombëtaren e futbollit, si dhe vlerësoi lartë gjestin e futbollistëve. Ai tha se do të vazhdojnë që krahas sukseseve të jenë sa më afër njerëzve të vendit.

Edhe humanisti Halil Kastrati falënderoi të gjithë ata që bashkëpunuan që për këtë familje të ndodhë ndërtimi i shtëpisë se re.