Haziri thotë se Gjilani është kryeqytet kulturor i shqiptarëve
Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri në kuadër të Muajit të Mërgimtarëve, mbrëmë është dhënë premiera e shfaqjes "Vdekja aksidentale e një anarkisti”, nga Dario Fo, me regji të Erson Zymberit.

Lajme
Pas premierës, kryetarit i Gjilanit, vlerësoi se me pjesëmarrjen masovike të publikut gjilanas, u dëshmua sërish se Gjilani vazhdon të jetë kryeqytet kuluturor i shqiptarëve.
“Komuna e Gjilanit tashmë e ka kthyer traditën e përcjelljes së shfaqjeve, edhe atë me interesim të jashtëzakonshëm të publikut. Pas dhënies së shfaqjes nga aktorët e teatrit të Gjilanit dhe me pjesëmarrjen rekorde të publikut, nuk u zbulua uji i nxehtë, por veç u rikonfirmua se Gjilani vazhdon të jetë kryeqytet kulturor i shqiptarëve”, ka thënë Haziri, citohet në komunikatën e komunës së Gjilanit.
Regjisori i shfaqjes, Erson Zymberi, ka thënë se “Vdekja aksidentale e një anarkisti”, në shtjellimin e saj konceptual dhe artistik, prekë dhe njëkohësisht tenton t’u përgjigjet trajtimit të problemeve aktuale të ligjit, korrupsionit, sistemit gjyqësor, dosjeve, akuzimeve, vrasjeve, etj.
Kjo shfaqje u realizua nga regjisori Erson Zymberi, i ndihmuar nga asistentja e regjisë Emine Toska, me aktorët: Ernest Zymberi, Alban Shahiqi, Avni Shkodra, Gani Rrahmani, Njomëza Kalaveshi dhe Tringa Hasani.
Reprizat e shfaqjes “Vdekja aksidentale e një anarkisti” parashihen të jepen po në Teatrin e Gjilanit, për ata që nuk patën mundësi të ishin pjesë e premierës.