Haziri mesazh partive: Duhet të sillemi në mënyrë racionale, Qeveria e Unitetit është zgjidhja për ta nxjerrë vendin nga bllokada
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka dal me një thirrje që të përkrahet propozimi për Qeveri të Unitetit. Haziri tha se një qeveri e opozitës nuk është reale për shkak të se shumica e deputetëve të pakicave janë subordinuar me lojalitetin e VV-së, shkruan lajmi.net Në postimin e bërë, Haziri tha se Qeveria e Unitetit…

Lajme
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka dal me një thirrje që të përkrahet propozimi për Qeveri të Unitetit.
Haziri tha se një qeveri e opozitës nuk është reale për shkak të se shumica e deputetëve të pakicave janë subordinuar me lojalitetin e VV-së, shkruan lajmi.net
Në postimin e bërë, Haziri tha se Qeveria e Unitetit është zgjidhja për ta nxjerrë vendin nga bllokada.
Postimi i plotë:
Qeveria e pakicës përballë Qeverisë së Unitetit
Tash e disa muaj është folur për mundësi të qeverisjes së pakicës, më shumë si pritje e mundësi që ish-opozita të shkaktojë.
Nuk është shkaktuar asnjë veprim për të krijuar situatë të re politike. Asnjë veprim politik që ndërton besim se këto parti mund të arrijnë shumicën e thjeshtë për të krijuar mundësi qeverisjeje.
U faktua gjendja reale që nga 11 deputetë të pakicave jo serbe, shumica absolute i janë subordinuar me lojalitet VV-së, përmes Emilja Rexhepit e Elbert Krasniqit. Këta dy deputetë kanë shkuar aq larg sa që bashkëpunimin historik me LDK-në e kanë kthyer në lexim deklaratash si parti shoveniste. Kaq larg i ka çu VV-ja për interesa ditore!
Deputetët që dalin nga partitë politike shqiptare nuk kanë ofruar asnjë siguri për bashkangjitje këtij opsioni, si rasti me z. Limaj dhe marrëveshja e pazbatueshme me VV-në.
Ndërkaq, nëntë deputetë të Listës Serbe nuk janë pjesë e asnjë procesi politik prej 9 shkurtit.
Atëherë, në këtë gjendje faktike, duhet të sillemi në mënyrë racionale drejt një opsioni për një mundësi kalimtare, me agjende, formacion e qëllim të përbashkët.
Për nëntë muaj, do të shkaktoheshin procese të reja dhe hapen mundësi tjera. Përfundimisht, Qeveria e Unitetit është zgjidhja për ta nxjerrë vendin nga bllokada!/lajmi.net/