Haziri: LDK kërkoi seancë sonte, partia e parë duhej ta hapte rrugën

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë se kjo parti ka kërkuar që seanca konstituive e Kuvendit të mbahej sonte, deri në mesnatë, me qëllim të respektimit të afateve kushtetuese dhe ruajtjes së standardeve institucionale. Në një konferencë për media, Haziri ka deklaruar se kërkesa e LDK-së është bërë edhe gjatë…

Lajme

08/08/2026 00:15

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë se kjo parti ka kërkuar që seanca konstituive e Kuvendit të mbahej sonte, deri në mesnatë, me qëllim të respektimit të afateve kushtetuese dhe ruajtjes së standardeve institucionale.

Në një konferencë për media, Haziri ka deklaruar se kërkesa e LDK-së është bërë edhe gjatë takimit mes kryetarit të kësaj partie, Lumir Abdixhiku, dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

“Sot, edhe gjatë takimit edhe pas takimit mes Abdixhikut dhe Kurtit, lidhur me bisedimet për një marrëveshje të mundshme, ne kemi thënë dhe kemi kërkuar që LDK-ja ka pritur, ka kërkuar dhe ka ftuar seancë sonte deri në ora 00 të mesnatës në mënyrë që të ruhen afatet kushtetuese, të ruhet fryma kushtetuese dhe të ruhet standardi që kemi arritur tash e sa vite”, ka thënë Haziri.

Ai ka theksuar se LDK-ja e sheh veten si “gardiane të Republikës”, duke thënë se deputetët kanë mandat dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve.

“Ne besojmë se duhet vazhduar të jemi gardianë të Republikës. Ne, deputetët e zgjedhur, kemi mandat e përgjegjësi para njerëzve, qytetarëve tanë, që të avancojmë jetën, mirëqenien dhe t’i japim besë e shpresë kësaj Republike. Sonte kemi ardhur dhe jemi gardianë të politikës”, është shprehur Haziri.

Haziri ka thënë se thirrja për mbajtjen e seancës nuk duhej të varej vetëm nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, por edhe nga partia e parë parlamentare.

“Është dashur të ftohet seanca, jo vetëm nga kryesuesi si më i vjetri me moshë, por nga partia e parë. Asaj i takon që të hapë rrugë, të respektojë dhe t’i ftojë deputetët që në mënyrë kushtetuese të formohen organet e Republikës”, ka deklaruar Haziri.