Haziri kritikon Kurtin: Ne jemi ftu’ me fol’ për President, kemi përfunduar duke folur për qeveri

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se procesi i diskutimeve për zgjedhjen e presidentit është devijuar nga qëllimi fillestar dhe është zhvendosur në çështje të qeverisë. Sipas tij, LDK ka qenë e qartë në qëndrimet e saj dhe është ftuar për të diskutuar vetëm për çështjen e presidentit, jo për marrëveshje…

Lajme

21/04/2026 14:24

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se procesi i diskutimeve për zgjedhjen e presidentit është devijuar nga qëllimi fillestar dhe është zhvendosur në çështje të qeverisë.

Sipas tij, LDK ka qenë e qartë në qëndrimet e saj dhe është ftuar për të diskutuar vetëm për çështjen e presidentit, jo për marrëveshje qeveritare, transmeton lajmi.net.

“Kryetari i LDK-së e ka bë të qartë qëndrimin e LDK-së. Ne jemi ftu’ me fol’ për President, kemi përfunduar duke folur për qeveri. Përderisa para disa javësh është thanë që Kuvendi konstituohet, qeveria ndërtohet, bëhet, dhe veprimet e tjera me hapa të caktum dhe të imponum nga kryetari i Vetëvendosjes kanë ndodhë, janë bë fakt, janë kry’”, tha Haziri.

Ai shtoi se edhe oferta për bashkëqeverisje nuk ka qenë e pritur nga LDK-ja.

“Lëvizja e djeshme që t’i ofrohet LDK-ja për qeverisje, për ne ka qenë çështje që nuk e kemi pritë, nuk e kemi kërku’ dhe kemi definu’ politikat tona”, u shpreh ai.

Haziri theksoi se LDK mbetet e interesuar për zgjidhjen e çështjes së presidentit, por jo për zgjatje të krizës politike.

“Jemi të interesum me i dhanë vendit President, por jo me kriju’ mundësi që të zgjatet qeverisja e Kosovës edhe me President. Presidenti është përfaqësuesi më i lartë, nuk është pushtet ekzekutiv, por garanton funksionimin e shtetit dhe mbron interesin e qytetarëve”, tha ai.

Ai i cilësoi deklarimet dhe ofertat politike si lojëra fjalësh dhe kalkulime politike.

“Kjo në radhë të parë është lojë fjalësh që nuk pasqyron realitetin… Loja e numrave dhe kalkulimeve është ajo që po e mban Kosovën në krizë”, deklaroi Haziri.

Sipas tij, LDK nuk ka pasur kërkesa në proces dhe ka marrë pjesë vetëm si palë e ftuar për të gjetur zgjidhje.

“LDK-ja s’ka pasë asnjë kërkesë. Jemi ulë në tavolinë për me gjetë rrugë për President. Ne jemi ofru’, jemi tregu’ pragmatikë dhe bashkëpunues”, tha ai.

Haziri shtoi se situata aktuale politike po e mban vendin në cikël krizash dhe rrezikon zgjedhje të reja.

“Kriza e Presidentit e çon vendin në dështim të Kuvendit, dhe pastaj shkohet në zgjedhje të reja”, u shpreh ai.

Në fund, Haziri tha se shpreson për ndryshim të qasjes politike në ditët në vijim dhe për arritje të një zgjidhjeje.

“Le të shpresojmë që do të ndërrojë qasja… gjithmonë duhet me besu’ që ka vullnet për me i dhanë zgjidhje jetës politike në Kosovë”, përfundoi ai./lajmi.net/