Haziri: Ka pak mundësi që gjashtë deputetët e LDK-së ta ndryshojnë qëndrimin për Presidentin
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka folur për qëndrimin e gjashtë deputetëve të kësaj partie, të cilët nuk e kanë votuar kandidatin për president, Bekim Sejdiun. Haziri tha se ka pak mundësi që këta deputetë ta ndryshojnë qëndrimin e tyre, ndërsa situatën e krijuar e lidhi me procesin e nominimit të…
Lajme
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka folur për qëndrimin e gjashtë deputetëve të kësaj partie, të cilët nuk e kanë votuar kandidatin për president, Bekim Sejdiun.
Haziri tha se ka pak mundësi që këta deputetë ta ndryshojnë qëndrimin e tyre, ndërsa situatën e krijuar e lidhi me procesin e nominimit të një kandidati konsensual mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), raporton lajmi.net
Sipas tij, fakti që kandidati konsensual nuk vjen nga strukturat partiake dhe nuk ka background politik apo partiak, ka sjellë dallime në qëndrimet e deputetëve sa i përket votimit.
“Dallimi në votim nuk është dallimi në pjesëmarrjen në parti, grup parlamentar. Është çështje që ne kemi arritur në këtë pikë, ku është dhënë mendimi i secilit prej nesh dhe ky vendim është dhënë në besim. A ka kohë, a ka hapësirë, a ka mundësi me fol më shumë, unë mendoj edhe besoj që ka shumë pak mundësi që të ndryshohet ai qëndrim tash”, deklaroi Haziri.
Ai theksoi se, pavarësisht dallimeve për votimin, LDK-ja vazhdon të funksionojë si një strukturë e vetme.
“Ne vazhdojmë me qenë një parti, një strukturë, një organizim, një grup parlamentar, një kryetar”, tha Haziri, tha Haziri për RTV21.
Haziri u shpreh gjithashtu se demokracia parlamentare duhet të ruhet dhe se dallimet brenda partisë duhet të trajtohen përmes dialogut.
“Unë jam për këtë formë, duhet me bisedu shumë, me dialogu shumë”, u shpreh ai.
Në fund, Haziri tha se grupi parlamentar i LDK-së vazhdon të ketë 18 deputetë, në përputhje me rezultatin e fundit zgjedhor.
“Grupi parlamentar i LDK-së është i njëjtë sipas rezultatit të fundit zgjedhor, 18 deputetë janë të njëjtë, kurgjo s’ka ndryshu”, deklaroi Haziri./Lajmi.net/