Haziri: Dështimi i legjislaturës së kaluar i kushtoi Kosovës 18 milionë euro
Në ditën kur u konstituua Kuvendi i Kosovës dhe deputetët e legjislaturës së dhjetë dhanë betimin, deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka rikujtuar pasojat e dështimit të legjislaturës së kaluar. Sipas tij, moskonstituimi i legjislaturës së nëntë jo vetëm që krijoi një bllokadë politike gati njëvjeçare, por i kushtoi buxhetit të shtetit rreth 18 milionë…
Lajme
Në ditën kur u konstituua Kuvendi i Kosovës dhe deputetët e legjislaturës së dhjetë dhanë betimin, deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka rikujtuar pasojat e dështimit të legjislaturës së kaluar.
Sipas tij, moskonstituimi i legjislaturës së nëntë jo vetëm që krijoi një bllokadë politike gati njëvjeçare, por i kushtoi buxhetit të shtetit rreth 18 milionë euro, mjete që, siç theksoi, vijnë nga taksat e qytetarëve, transmeton lajmi.net.
Haziri e cilësoi këtë situatë si një mësim për demokracinë në vend, duke kërkuar që legjislatura e re të funksionojë në frymë bashkëpunimi dhe në përputhje me Kushtetutën.
Postimi i plotë:
Po e fillojmë legjislaturën X të Kuvendit të Republikës, duke mos e harruar dështimin e legjislaturës IX, e cila nuk arriti të konstituohet dhe ta zbatojë vullnetin qytetar.
Mësim i madh për demokracinë e re të Kosovës. Jo vetëm që u prodhua krizë politike njëvjeçare, por plus 18 milionë euro kosto të buxhetit, të taksave të qytetarëve.
Le të besojmë në frymën bashkëpunuese në përputhje me Kushtetutën dhe ta ushtrojmë përgjegjësinë qytetare për përfaqësim dinjitoz të qytetarëve të Republikës, kudo që jetojnë./lajmi.net/