Haziri: Autostrada e Gjilanit e braktisur, vetëm rojet në kantier, mungon çdo mjet pune

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe njëherësh kryetar i degës së kësaj partie në Gjilan, ka reaguar ashpër ndaj gjendjes së krijuar në kantierin e Autostradës së Gjilanit, duke e cilësuar situatën si shembull të qartë të braktisjes institucionale dhe papërgjegjësisë qeveritare. Në një postim në rrjete sociale, ai ka shkruar se asnjë…

Lajme

24/06/2025 18:37

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe njëherësh kryetar i degës së kësaj partie në Gjilan, ka reaguar ashpër ndaj gjendjes së krijuar në kantierin e Autostradës së Gjilanit, duke e cilësuar situatën si shembull të qartë të braktisjes institucionale dhe papërgjegjësisë qeveritare.

Në një postim në rrjete sociale, ai ka shkruar se asnjë mjet pune nuk është në terren dhe se në vendpunishte kanë mbetur vetëm rojet.

“Heshtje, papërgjegjësi dhe braktisje. Kantieri që duhej të ishte shpresë për qytetarët, sot është vetëm një simbol i dështimit. Vetëm rojet janë aty. Kosova sot nuk ka as Qeveri që punon, as Kuvend që funksionon,” ka theksuar ai.

Sipas tij, përpjekjet e kryeministrit për të fajësuar Kuvendin për mungesën e rezultateve janë të paarsyeshme, pasi “realiteti në terren është edhe më i zymtë.”

Duke e quajtur “projekt i zemrës” ndërtimin e kësaj autostrade, ai tha se është angazhuar për vite me radhë për realizimin e saj, duke pasur parasysh rëndësinë e madhe për Gjilanin, Anamoravën dhe gjithë zhvillimin e Kosovës Lindore.

“Gjilani dhe Anamorava janë të lëna anash, pa investime, pa plane, pa vizion,” shtoi ai.

Ai paralajmëroi se LDK do të vizitojë të gjitha kantieret në Kosovë për të paraqitur gjendjen reale të infrastrukturës dhe projekteve publike.

“Qytetarët meritojnë të dinë të vërtetën,” përfundoi ai.

Reagimi i LDK-së vjen në kohën kur shumë projekte infrastrukturore strategjike në vend po përballen me vonesa, mungesë transparence dhe pakënaqësi në opinionin publik.