Haxhiu: Vendimi i Hagës është çast i rëndë për kombin shqiptar, mos të lejojmë që dënimet e sotme t’i relativizojnë krimet e regjimit serb

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka shkruar pas aktgjykimit që ka dhënë sot Gjykata Speciale në Hagë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Haxhiu ka thënë se këto dënime janë një goditje e rëndë për familjet e tyre, një lajm thellësisht tronditës për Republikën e Kosovës dhe një çast i rëndë për…

Lajme

16/09/2026 12:24

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka shkruar pas aktgjykimit që ka dhënë sot Gjykata Speciale në Hagë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Haxhiu ka thënë se këto dënime janë një goditje e rëndë për familjet e tyre, një lajm thellësisht tronditës për Republikën e Kosovës dhe një çast i rëndë për kombin shqiptar kudo që jeton.

“Në një ditë si kjo, pesha e këtij vendimi nuk mund të ndahet nga historia prej së cilës kemi ardhur. Kosova e ka përjetuar mbi vete dhunën e një aparati shtetëror që vrau civilë, kreu masakra, dëboi qindra mijëra shqiptarë nga shtëpitë e tyre dhe la pas mijëra të vrarë e të zhdukur. Kjo përvojë është pjesë e pashlyeshme e kujtesës së Kosovës dhe të kombit shqiptar. Mendimet e mia janë, para së gjithash, me familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Prej vitesh ato mbajnë barrën e mungesës, pritjes dhe pasigurisë. Dënimet e sotme e bëjnë këtë barrë edhe më të rëndë”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka thënë se familjeve të tyre iu ka përcjellur një porosi që të qëndrojnë të fortë sepse Kosova është me ta.

“Fjala e fundit juridike nuk është thënë. E drejta e ankimit është pjesë e procesit dhe duhet të ushtrohet plotësisht. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte çlirimtare. Ajo lindi përballë shtypjes, dhunës dhe krimeve të regjimit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Asnjë aktgjykim nuk mund ta ndryshojë natyrën e asaj lufte dhe as të zhbëjë të drejtën e një populli për të luftuar për lirinë e vet”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka thënë se respekti për drejtësinë nuk nënkupton hështje përballë çdo përpjekjeje për ta shtrembëruar historinë.

“Nuk duhet lejuar që dënimet e sotme të përdoren për të relativizuar krimet e regjimit të Serbisë, për ta zvogëluar përgjegjësinë për to apo për të krijuar një narrativë të rreme. Këtë qartësi e presim edhe nga miqtë dhe aleatët tanë. Sot na duhet qetësi, dinjitet dhe bashkim. Dhimbja e kësaj dite nuk duhet të na ndajë. Republika e Kosovës do ta përballojë edhe këtë sprovë duke i qëndruar besnike drejtësisë, lirisë dhe së vërtetës së saj. Sepse aktgjykimet nuk mund ta gjykojnë historinë e një populli as nuk mund ta rishkruajnë atë”, ka shkruar Haxhiu. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: