Haxhiu: S’mund të na ndërhyjnë për emrin e kryeparlamentarit, Vetëvendosje u votua më së shumti nga qytetarët

Ministrja në detyrë, njëherësh e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu është deklaruar para mediave pas dështimit ë 29-të me radhë të konstituimit të Kuvendit. Ndër të tjerash Haxhiu u pyet edhe në lidhje me propozimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku për Qeveri të Unitetit. Ajo tha se vullneti i qytetarëve është…

Lajme

09/06/2025 12:16

Ministrja në detyrë, njëherësh e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu është deklaruar para mediave pas dështimit ë 29-të me radhë të konstituimit të Kuvendit.

Ndër të tjerash Haxhiu u pyet edhe në lidhje me propozimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku për Qeveri të Unitetit.

Ajo tha se vullneti i qytetarëve është parë më 9 shkurt, ku Albin Kurti ishte njeriu më i votuar dhe Vetëvendosje doli parti e parë, e që sipas saj me këso propozime po duan të minimizojnë vullnetin e qytetarëve.

“Që nga 15 prilli ka pasur përpjekje e vazhdueshme për të konstituar kuvendin, në njërën anë ka qenë ajo e Vetëvendosjes dhe në anën tjetër me mungesën e vullnetit të partive politike që të konstituojnë. Nga 11 maji ka filluar propozimi për votimin e fshehtë dhe sot s’kishte sukses pasi opozita refuzoi të merrte pjesë në votim siç kanë bërë edhe më parë”, tha ajo, shkruan lajmi.net.

Sa i përket propozimit nga partia e tretë që doli në zgjedhje, nga kryetari i LDK-së Abdixhiku, Haxhiu tha se kërkojnë unitet për konstituimin e kuvendit.

“Qytetarët e kanë thënë fjalën e tyre në zgjedhjet e 9 shkurtit, Kurti është lideri më i votuar ndonjëherë në Kosovë dhe VV është subjekti i parë me më së shumti vota prandaj propozimet e tilla janë tendencë për të minimizuar vullnetin e popullit dhe s’e kanë mbështetjen e Vetëvendosjes. Qeveri të tranzicionit e kemi për momentin pasi është qeveri në dorëheqje pasi kryen detyrën deri në qeverinë e ardhshme”, tha Haxhiu.

Ajo kërkoi që të braktisën këto ide që e minimizojnë vullnetin e popullit.

“Së pari ka pasur përpjekje gjashtë herë që votimi për kuvend dhe s’ka rezultuar i suksesshëm, këto e kemi edhe letrën e presidentes Osmani që kërkon nga partitë politike që të kontribuojnë në konstituim dhe nuk i  takon vetëm Vetëvendosjes sepse nuk është përgjegjësi vetëm e jona, pro ata po refuzojnë që të konstituojnë”,tha Haxhiu.

“I jemi përgjigjur disa herë për këtë të drejtën për të propozuar e ka Vetëvendosje, prandaj askush nuk mundet të ndërhyj në të drejtën e një subjekti politik sepse të drejtat kushtetuese janë mbi preferencat individuale apo nga subjektet tjera politike. Ne s’përcaktojmë emra të partive të tjera, e mund të themi jo për nënkryetar Kujtim Shala, por Arben Gashi”./Lajmi.net/