Haxhiu për punën një-vjeçare: U dëshmua se Kosova ka qeveri të pakorruptuar

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke folur për punën një-vjeçare në krye të këtij dikasteri, ka thënë se "është dëshmuar se Kosova ka qeveri pa skandale dhe të pakorruptuar".

Lajme

23/03/2022 14:26

“Sot bëhet një vit prej kur kam pranuar detyrën si Ministre e Drejtësisë dhe kemi dëshmuar se mund të këtë qeveri pa skandale dhe të pakorruptuar. Kemi dëshmuar se një qeveri në Kosovë mund të veprojë dhe mund të punojë pa keqpërdorur buxhetin e shtetit dhe taksat e qytetarëve”, deklaroi Haxhiu në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën.

“Kemi përmirësuar kornizën ligjore në vend me qëllim luftimin e krimit dhe korrupsionit. Strategjinë për sundimin e ligjit, vettingu mbetet kryesori. Ministria e Drejtësisë vazhdon të jetë në komunikim të vazhdueshëm me opinionin e Venecias. Jemi të vendosur që të jetë proces i përgatitur mirë në përputhje me standardet më të mira”.

Për sfidat që i ka pasur ky dikaster, tha se janë të shumta. Ndërsa, për Vettingun tha se është kërkesë shoqërore dhe “i vetmi çelës që kemi në duar për ta bërë Kosovën shtet të së drejtës”.

Haxhiu mes tjerash foli edhe për mosvotimin e Projektkodit Civil nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Këta të fundit sipas saj, duhet t’i përfaqësojnë të gjithë qytetarët pavarësisht orientimit seksual.

“Në Kuvendin e Kosovës ka deputetë që janë te feve të ndryshme. Por, duhet të përfaqësojnë të gjithë qytetarët e Kosovës pavarësisht orientimit seksual. Nuk mund të kuptoj gjuhën e urrejtjes në Kuvendin e Kosovës, më vjen mirë që kreu i Kuvendit Konjufca ka pas një rol konstruktiv dhe emancipues….Ne nuk negociojmë për të drejtat e njeriut sepse janë të njohura”, u shpreh ajo./Lajmi.net/