Haxhiu paralajmëron mbledhje për ta votuar Kurtin si mandatar: E çojmë emrin te Presidentja, presim që ajo të punojë në këtë drejtim
Përpos Dimal Bashës si Kryetar i Kuvendit të Kosovës, sot para mediave në një konferencë doli dhe nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu. Haxhiu me këtë rast ka paralajmëruar se Lëvizja Vetëvendosje do të mbajë një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm për ta dërguar emrin e mandatarit për kryeministër te presidentja Vjosa Osmani. Sipas Haxhiut, kjo…

Lajme
Përpos Dimal Bashës si Kryetar i Kuvendit të Kosovës, sot para mediave në një konferencë doli dhe nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Haxhiu me këtë rast ka paralajmëruar se Lëvizja Vetëvendosje do të mbajë një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm për ta dërguar emrin e mandatarit për kryeministër te presidentja Vjosa Osmani.
Sipas Haxhiut, kjo mbledhje do të mbahet së shpejti.
“Do duhet ta kemi njëherë një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, e pastaj ta dërgojmë emrin e mandatarit për kryeministër te Presidentja për dekretim. Besoj që ajo mbledhje do të jetë shpejt e jashtëzakonshme”,deklaroi Haxhiu.
Vetëvendosje ndër të tjerash ka vazhduar me kërkesën që të ecet para me procedurat e tjera për formimin e Qeverisë, edhe pa u zgjedhur nënkryetari i kuvendit nga komuniteti serb.
Kryeparlamentari Dimal Basha po ashtu tha se e mbylli seancën e kaluar pasi sipas tij nuk duhet bllokuar shteti për një nënkryetar.
“Pika e katërt është ezauruar për shkak se asnjëri (i propozuar për nënkryetar) nuk i ka marr votat e mjaftueshme. Si Kryetar i Kuvendit kam qenë i detyruar që ta përmbyll seancën. Për mua ka qenë e rëndësishme që ta shpallë Kuvendin të konstituuar në mënyrë që të vazhdojmë me proceset tjera. Ka qenë e rëndësishme që mos ta bllokojmë shtetin për një nënkryetar, për shkak se mundësitë janë ezauruar. Unë nuk kam pas mundësi tjetër.
Ai ka thënë se janë pesë anëtarë në Kryesinë e Kuvendit dhe ka kërkuar që të rrjedhin afatet për formimin e Qeverisë.
“S’ka logjikë të bllokohet Kuvendi i Republikës për shkak të moszgjedhjes së një nënkryetari. I kemi pesë anëtarë në Kryesi. Të vazhdojë rrjedhja e afatit për caktimin e mandatarit dhe të kemi institucione funksionale siç na presin qytetarët. Kemi edhe trysni dhe kërkesa nga miqtë ndërkombëtarët që të vazhdojë puna e Kuvendit”, ka thënë ai./Lajmi.net/