Haxhiu: Opinioni i GJND-së mbetet gurthemeli i legjitimitetit ndërkombëtar të Kosovës

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar 16-vjetorin e opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në Hagë, duke e cilësuar atë si një nga momentet më të rëndësishme në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Në një reagim publik, Haxhiu kujtoi se më 22 korrik 2010, GJND-ja…

Lajme

22/07/2026 12:20

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar 16-vjetorin e opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në Hagë, duke e cilësuar atë si një nga momentet më të rëndësishme në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Në një reagim publik, Haxhiu kujtoi se më 22 korrik 2010, GJND-ja konfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, e shpallur më 17 shkurt 2008, nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, duke hedhur poshtë pretendimet se shpallja e pavarësisë kishte shkelur normat ndërkombëtare.

“16 vjet nga opinioni këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në favor të pavarësisë së Republikës së Kosovës. Më 22 korrik 2010, Gjykata vlerësoi se miratimi i Deklaratës së Pavarësisë nuk cenonte të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo rikujtoi se opinioni i GJND-së erdhi pas kërkesës së Serbisë drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për një vlerësim këshillëdhënës mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Sipas Haxhiut, ky vendim përbënte një pikë kthese me rëndësi të veçantë juridike dhe diplomatike, pasi forcoi pozitën ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe u shndërrua në një bazë të rëndësishme për njohjet që pasuan nga shumë shtete.

“Edhe pas 16 vitesh, opinioni i 22 korrikut 2010 mbetet një nga gurthemelet e legjitimitetit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës dhe një referencë e rëndësishme në afirmimin e subjektivitetit të saj në arenën ndërkombëtare”, ka theksuar Haxhiu. /Lajmi.net/