​Haxhiu – nxënësve: Ka raste kur politikanët nuk janë shembulli më i mirë që duhet ndjekur

“Mos heshtni ndaj asnjë forme të dhunës”. Ky ishte mesazhi që nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, dhe ministrja në detyrë, Arbërie Nagavci, ia adresuan nxënësve të shkollave të mesme të Prishtinës, në përmbyllje të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”. Në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, Haxhiu dhe Nagavci…

Lajme

10/12/2025 13:04

“Mos heshtni ndaj asnjë forme të dhunës”. Ky ishte mesazhi që nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, dhe ministrja në detyrë, Arbërie Nagavci, ia adresuan nxënësve të shkollave të mesme të Prishtinës, në përmbyllje të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”. Në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, Haxhiu dhe Nagavci u sfiduan edhe nga nxënësit për dhunën që përdoret në institucione.

Nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se dhuna ndaj grave dhe vajzave është më e shfaqura në Kosovë.

Ajo nënvizoi se ndryshimi fillon me të rinjtë pasi kanë fuqinë për të formuar kulturën e brezit të tyre. Një kulturë, sipas saj, ku dhuna nuk pranohet dhe respekti vlen më shumë se forca, dhe vajzat e gratë trajtohen si të barabarta.

“Dhuna nuk fillon vetëm me goditje. Ajo shpesh fillon me fjalë, tallje, përqeshje, tendencë për të kontrolluar dikë, për t’i treguar si të vishet dhe flasë. Me xhelozi që nganjëherë mund të duket si dashuri, por nuk është dashuri… Ky ndryshim fillon me ju. Ju si të rinj keni fuqinë që të formoni kulturën e brezit tuaj. Një kulturë ku dhuna nuk pranohet, ku respekti vlen më shumë se forca dhe vajzat dhe gratë trajtohen si të barabarta dhe njerëz me dinjitet… Askund mos lejoni që ta fyeni ose t’ju fyejë dikush, t’ju kërcënojë, shantazhojë, kërcënojë dhe nëse jeni dëshmitarë se dikush po ia bën dikujt kështu, ju ftoj që të reagoni”, theksoi ajo.

Në anën tjetër, ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, sugjeroi nxënësit të jenë të vëmendshëm edhe për rrezikun nga dhuna digjitale.

“Mos heshtni ndaj asnjë forme të dhunës. E di personalisht edhe në ditët e sotme ku kemi një zhvillim të jashtëzakonshëm të teknologjisë e cila, krahas të mirave që sjell, ka edhe rrezikun nga dhuna digjitale. Të jeni të vëmendshëm dhe të vetëdijshëm në radhë të parë për sigurinë tuaj, integritetin dhe për të mbrojtur gjithçka që ka të bëjë me qenien tuaj fizike dhe emocionale”, deklaroi Nagavci.

Pas përfundimit të fjalimeve, radha i erdhi pyetjeve nga nxënësit. Njëri nga ta pyeti Haxhiun e Nagavcin se si presin që fëmijët të jenë të sigurt nga dhuna kur vetë në institucione përdoret dhunë.

Madje një nxënës tha se ka raste kur edhe vetë institucionet shtetërore përdorin dhunë verbale ndaj nxënësve në ligjërata të ndryshme.

“Qysh kemi me mundur na me u sigurua kur vetë shteti jonë dhuron shumë dhunë ndaj neve. Kemi rastin kur një ligjëratë në shkollë me policë dhe aty policët na bërtisnin: ‘Rrini urtë se ju dërgojmë në stacion’. Edhe kjo është një dhunë”, tha ai.

E Haxhiu tha se ka raste kur politikanë nuk janë shembulli më i mirë që duhet ndjekur nga nxënësit.

“Pyetja e parë është sesi pritni që ne të jemi të sigurt nëse vetë në institucione përdoret dhunë. Fatkeqësisht realiteti është i tillë dhe i hidhur. Unë nuk mundem me mohuar këtë pasi e kemi parë të gjithë në institucione, fatkeqësisht edhe në këtë vend ku jemi sot ka pasur dhunë dhe është përdorur dhunë. Ka raste kur politikanët nuk janë shembulli më i mirë që duhet ta ndjekim”, tha ajo.

Në kuadër të fushatës globale “16 Ditët kundër dhunës me bazë gjinore”, gjatë ditës u organizua edhe një aktivitet nga Ministria e Drejtësisë, në lidhje me kompensimin e viktimave të krimit në Kosovë./kp