Haxhiu mohon zërat se u dorëzua raporti i IML-së për vdekjen e 27 vjeçarit: Po bëhet analizimi histopatologjik dhe toksikologjik

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është deklaruar në lidhje me zhvillimet në kuadër të hetimeve për rastin e vdekjes së dyshimtë të 27 vjecarit, Agon Zejnullahu. Haxhiu ka mohuar zërat dhe raportimet se është dorëzuar ndonjë raport i mundshëm nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Haxhiu tha se IML është duke bërë përpjekje maksimale…

Lajme

08/07/2025 12:35

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është deklaruar në lidhje me zhvillimet në kuadër të hetimeve për rastin e vdekjes së dyshimtë të 27 vjecarit, Agon Zejnullahu.

Haxhiu ka mohuar zërat dhe raportimet se është dorëzuar ndonjë raport i mundshëm nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Haxhiu tha se IML është duke bërë përpjekje maksimale për të kryer sa më shpejt edhe analizimin e histopatologjik dhe toksikologjik të mostrave indore të marra gjatë autopsisë.

“Me urdhëresë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dje është kryer autopsia e të ndjerit Agon Zejnullahu. IML është duke bërë përpjekje maksimale për të kryer sa më shpejt edhe analizimin histopatologjik dhe toksikologjik të mostrave indore të marra gjatë autopsisë në mënyrë që të përfundojë sa më shpejt raporti i autopsisë. Instituti i Mjekësisë Ligjore ende nuk ka dorëzuar asnjë raport preliminar për këtë rast”,deklaroi ajo.

Reagimi i Haxhiut erdhi pas reagimit që bëri ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ku ndër të tjerash tha se fajtorët do të marrin dënimin e merituar.

“Jam thellësisht i prekur nga lajmi për vdekjen e qytetarit tonë para mëngjesit të djeshëm në Lipjan.Si Ministër i Punëve të Brendshme, sapo jam informuar për ngjarjen, kam kërkuar angazhim urgjent dhe profesional nga Inspektorati Policor i Kosovës si dhe bashkëpunim të plotë të Policisë së Kosovës gjatë këtij hetimi. Në kuadër të kësaj, hetimet tashmë janë duke u zhvilluar me intensitet maksimal.Bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës, Inspektoratit Policor, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorisë është kyç për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.Familjarëve të të ndjerit u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Pres që sa më shpejt, të zbardhet e vërteta dhe të gjitha rrethanat si dhe familjarët dhe opinioni publik të njoftohen me të gjitha të gjeturat dhe epilogun e këtij rasti. Askush nuk është mbi ligjin, dhe kushdo që rezulton fajtor do të përballet me drejtësinë dhe do të marrë dënimin e merituar”,deklaroi Sveçla.

Ai tha se Policia e Kosovës, falë profesionalizmit, transparencës dhe përkushtimit në shërbim të qytetarëve, vazhdon të jetë institucioni më i besuar dhe më kredibil në vend. Ky besim duhet ruajtur me çdo kusht dhe pa kursyer askënd pasi besimi qytetarë është jo vetëm vlerë por domosdoshmëri për punën e suksesshme të Policisë së Kosovës. Atë do ta ruajmë me vendosmëri përmes drejtësisë dhe përgjegjësisë për secilin rast.

Duhet përkujtuar që 5 zyrtarë policorë janë ndaluar nën dyshimin për “vrasje nga pakujdesia” në lidhje me rastin e Agon Zejnullahut, të ndodhur mesnatën e 7 korrikut./Lajmi.net/