Haxhiu: Mbështetja amerikane u bë pjesë e historisë sonë kombëtare
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 250-vjetorit të pavarësisë, duke theksuar se historia amerikane dhe historia shqiptare janë takuar në disa prej momenteve më vendimtare për lirinë dhe vetëvendosjen e shqiptarëve. Në fjalën e saj, U.D. Presidentja Haxhiu tha se…
Lajme
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 250-vjetorit të pavarësisë, duke theksuar se historia amerikane dhe historia shqiptare janë takuar në disa prej momenteve më vendimtare për lirinë dhe vetëvendosjen e shqiptarëve.
Në fjalën e saj, U.D. Presidentja Haxhiu tha se 250-vjetori i pavarësisë amerikane kthen vëmendjen te pyetja themelore politike me të cilën nisi revolucioni amerikan: kush ka të drejtë të qeverisë dhe prej nga buron kjo e drejtë.
“Përgjigjja që u dha më 1776 ishte e guximshme për kohën e saj dhe mbetet kërkuese edhe sot. Pushteti nuk qëndron mbi popullin. Legjitimitetin e merr prej tij dhe duhet të mbahet brenda kufijve të ligjit, përfaqësimit dhe qytetarisë së barabartë”, tha U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo theksoi se shqiptarët e kuptuan herët peshën e parimeve amerikane, sidomos në momentet kur fati i një kombi rrezikohej të vendosej pa praninë e tij. Duke kujtuar Konferencën e Paqes në Paris pas Luftës së Parë Botërore, U.D. Presidentja Haxhiu përmendi rolin e Presidentit Woodrow Wilson, i cili i dha forcë politike çështjes shqiptare me qëndrimin e tij se “Shqipëria duhet të jetë e pavarur”.
U.D. Presidentja Haxhiu foli edhe për jetën publike shqiptare në Amerikë, duke veçuar Fan Nolin dhe Faik Konicën si dy figura që e kthyen mërgatën shqiptare në zë politik, kulturor dhe kombëtar. Ajo tha se në Amerikë shqiptarët krijuan organizata, gazeta, shoqata dhe hapësira publike për ta mbrojtur çështjen shqiptare para botës.
“Noli e kuptoi se gjuha mund të bëhej institucion edhe përpara se shteti të ishte mjaftueshëm i fortë për ta mbrojtur atë. Ai ndihmoi që një komunitet emigrantësh të shndërrohej në forcë kombëtare”, tha U.D. Presidentja Haxhiu.
Duke folur për Faik Konicën, ajo theksoi se përmes Vatrës, gazetës Dielli dhe më vonë përfaqësimit diplomatik në Uashington, çështja shqiptare mori zë publik dhe hyrje në diplomacinë zyrtare.
Në këtë histori, U.D. Presidentja Haxhiu e vendosi edhe Hasan Prishtinën, si figurë që i dha zë Kosovës brenda kërkesës më të gjerë shqiptare për vetëvendosje. Ajo tha se, edhe pse shteti i Kosovës ende nuk ekzistonte, kërkesa që më vonë do ta përcaktonte historinë moderne të Kosovës ishte tashmë e qartë: një popull duhet të ketë fjalën e vet për të ardhmen e vet.
Duke iu referuar luftës së fundit në Kosovë, U.D. Presidentja Haxhiu tha se kjo kërkesë u rikthye në rrethana lufte, kur autonomia ishte shfuqizuar, jeta publike ishte shtypur dhe civilët dëboheshin nga shtëpitë e tyre.
“Nën udhëheqjen e Presidentit Bill Clinton, me Sekretaren Madeleine Albright në qendër të diplomacisë amerikane, Shtetet e Bashkuara qëndruan në ballë të ndërhyrjes së NATO-s, duke i dhënë forcë politike e diplomatike përpjekjes që ndali luftën dhe ia hapi Kosovës rrugën drejt lirisë. Për popullin e Kosovës, udhëheqja amerikane u bë pjesë e historisë sonë kombëtare, sepse ndryshoi rrjedhën e saj”, tha U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo theksoi se liria e Kosovës mori formë në Republikë, në institucione, zgjedhje, gjykata, forca të sigurisë dhe në një rend kushtetues që u përket të gjithë qytetarëve të saj.
“Për shqiptarët, dhe për Republikën e Kosovës sot, kjo ide u bë e prekshme përmes historisë. U bë e prekshme kur udhëheqja amerikane ndihmoi që e drejta për liri të mos mbetej vetëm kërkesë, por të bëhej e ardhme”, tha U.D. Presidentja Haxhiu.
Në fund, U.D. Presidentja Haxhiu tha se urimet e Kosovës për Shtetet e Bashkuara vijnë me mirënjohjen e një Republike sovrane, e cila e mban mend se mbështetja amerikane ndihmoi që liria e Kosovës të bëhej e mundur.
“Ne e dimë se mënyra më e mirë për ta nderuar atë mbështetje është ndërtimi i një shteti të denjë për të”, tha U.D. Presidentja Haxhiu.
Duke cituar Walt Whitmanin, i cili shkroi se Shtetet e Bashkuara janë “poema më e bukur”, U.D. Presidentja Haxhiu tha se shqiptarët e gjetën herët vargun e tyre në atë poemë: në gazeta, kisha, shoqata, letra, tubime publike dhe në punën e gjatë për ta bërë një komb të vogël të dukshëm para një vendi të fuqishëm.
“Këtë miqësi e nderojmë me mirënjohje, me kujtesë dhe me përgjegjësinë për të ndërtuar një shtet të denjë për lirinë që fituam. Gëzuar 250-vjetorin e Pavarësisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha U.D. Presidentja Haxhiu.