Haxhiu kërkon të ndalet dhuna në Tiranë ndërsa nga institucionet të trajtojnë kërkesat e studentëve: Mos iu çasni me arrogancë, ajo i nxit ato
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu është pyetur nga mediat në lidhje me protestat e dhunshme në Shqipëri. Ajo ka thënë se secili në Kosovë i ka përcjell me shqetësim zhvillimet atje. “Ajo që po ndodh atje na shqetëson të gjithëve sepse Shqipëria për ne është shtëpi. Njësoj sikurse për mua besoj edhe për juve. Është…
Lajme
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu është pyetur nga mediat në lidhje me protestat e dhunshme në Shqipëri.
Ajo ka thënë se secili në Kosovë i ka përcjell me shqetësim zhvillimet atje.
“Ajo që po ndodh atje na shqetëson të gjithëve sepse Shqipëria për ne është shtëpi. Njësoj sikurse për mua besoj edhe për juve. Është shumë e rëndësishme që kërkesat e protestuesve duhet të dëgjohen nga institucionet”, tha Haxhiu pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Ajo ka kërkuar nga drejtuesit e institucioneve atje që t’i trajtojnë kërkesat e studentëve e jo t’i përgjigjen me arrogancë.
Besoj që secili prej drejtuesve të institucioneve atje, Kuvendi, Qeveria, Ministria e ka për obligim t’i trajtoj kërkesat e studentëve. A janë ato që kanë dal tash apo ato të shtresëzuara, pra që kanë nisur shumë më herët, para disa viteve. Ne nuk e mbështetim dhunën, ajo duhet të ndalohet nga të dyja palët. Mendoj se është e rëndësishme çasja serioze në raport me këto protesta, jo arroganca. Arroganca vetëm i nxit protestat, prandaj edhe thërras që me maturi, seriozitet të tejkalohen ndasitë apo qëndrimet e tyre që mund t’i kenë”, ka thënë Haxhiu.
Në lidhje me pjesëmarrjen e mbështetësve të VV-së në këto protesta, ajo ka thënë se VV nuk mban përgjegjësi.
“Asnjëherë nuk ka pas thirrje nga VV që të mbështetën protestat, nuk i takon VV-së kjo. Ajo nuk mund të mbahet përgjegjëse nëse mbështetësit tanë shkojnë të protestojnë atje”, ka thënë Haxhiu. /Lajmi.net/