Haxhiu: Gjykata Speciale ta korrigjojë kërkesën e padrejtë të ZPS-së
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka folur për vendimin e 11 vjetëve më parë të Kuvendit të Kosovës, ku u votua pro themelimit të Gjykatës Speciale. Haxhiu për KosovaPress, tha se këtë vendim të kuvendit e patën konsideruar si një nga gabimet historike që do të mbahen mend përherë si vendim i dëmshëm.…
Lajme
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka folur për vendimin e 11 vjetëve më parë të Kuvendit të Kosovës, ku u votua pro themelimit të Gjykatës Speciale.
Haxhiu për KosovaPress, tha se këtë vendim të kuvendit e patën konsideruar si një nga gabimet historike që do të mbahen mend përherë si vendim i dëmshëm.
“Së pari e kemi konsideruar që një nga gabimet historike që do të mbahen mend përherë si vendim i dëmshëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës është pikërisht formimi i Gjykatës Speciale. Askush nuk ka qenë kundër drejtësisë, por edhe në atë kohë qysh e them edhe sot, është dashur që të punohet në fuqizimin e institucioneve të drejtësisë që çfarëdo pretendimi në të ardhmen për këdo, le të merren institucionet tona të drejtësisë me atë çështje dhe jo të krijojmë gjykata etnike, sepse me aq sa ne dimë dhe përkundër kërkesave të mëdha që ka pasur, nuk ka pasur asnjë rast që Gjykata Speciale është marrë me krimet që Serbia i ka bërë në Kosovë, përfshirë këtu edhe masakrën e Dubravës, edhe që për vjetorin e kemi pasur tash së fundi”, tha Haxhiu për KosovaPress.
Ajo uron që Gjykata Speciale ta korrigjojë kërkesën e padrejtë të Prokurorisë së Specializuar në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vendimi ndaj të cilëve do të merret më 16 shtator.
“Prandaj edhe duke qenë në thelb e padrejtë, natyrisht që sa herë kalojnë vitet, ne na kujtohet sa vendim i dëmshëm ka qenë vendimi për ta formuar Gjykatën Speciale. Ne urojmë, unë uroj që Gjykata apo vendimi i gjykatës do ta korrigjojë kërkesën e padrejtë të Prokurorisë së Specializuar. Faleminderit shumë”, tha Haxhiu për KosovaPress.
Në fjalën përfundimtare, Prokurorja e Specializuar, Kimberly West pati kërkuar 45 vite burgim për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Gjykata Speciale do ta marrë vendimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 16 shtator të këtij viti, pak muaj para se të bëhen 6 vjet prej se mbahen në paraburgim Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.