Haxhiu: Duhet gjetur një president konsensual duke shfrytëzuar takimet e diskutimet, Kurti tha se nuk do kandidat nga radhët e VV-së

Ushtruesja e detyrës së presidentes së vendit, Albulena Haxhiu është deklaruar para mediave pas takimit që pati me kreun e VV-së, Albin Kurti, Kusari-Lila nga Alternativa, Donika Gërvalla nga Guxo dhe përfaqësuesit e komuniteteve. Haxhiu deklaroi se në takim ishin 11 liderë të partive politike dhe se qëllimi i këtij takimi ishte që në rrethanat…

Lajme

18/08/2026 10:22

Ushtruesja e detyrës së presidentes së vendit, Albulena Haxhiu është deklaruar para mediave pas takimit që pati me kreun e VV-së, Albin Kurti, Kusari-Lila nga Alternativa, Donika Gërvalla nga Guxo dhe përfaqësuesit e komuniteteve.

Haxhiu deklaroi se në takim ishin 11 liderë të partive politike dhe se qëllimi i këtij takimi ishte që në rrethanat në të cilat jemi të shihet a ka ndonjë rrugë për të ecur bashkë përpara, në mënyrë që të shmangim ngërçin institucional dhe zgjedhjet e parakohshme në Kosovë.

“I falënderoj kryetarët e subjekteve politike që ishin të pranishëm dhe vlerësoj vullnetin e tyre për konsultime, por edhe për kontribut.Ju e dini që para nesh janë dy qëndrime politike: Së pari kemi qëndrimin e VV-së dhe partnerëve që nëse hyjmë në konstituimin e kuvendit pa një marrëveshje për presidentin mund të përsëritet kriza e vitit të kaluar, por poashtu edhe e këtij viti.Në anën tjetër kemi qëndrimet e LDK, PDK dhe Aleanca që të konstituohet Kuvendi e pastaj të flitet për qeveri dhe për president.Sigurisht se unë nuk jam këtu për të gjykuar qëndrimet e partive politike, por pas gjithë këtyre muajve nuk kemi nevojë të hamendësojmë se çka sjell mungesa e marrëveshjes dhe e dimë ku na qon kjo.Sot kam dëgjuar qëndrimet e subjekteve politike dhe të gjitha ishin që duhet të kontribuojmë maksimalisht për çështjen e marrëveshjes për presidentin dhe patjetër duhet shmangur zgjedhjet e parakohshme.Nuk pres që partitë politike të pajtohen për gjithçka, por pres të jenë të gatshme të flasin për atë që është domosdoshme për funksionimin e shtetit.Nëse nuk mund të merremi vesh sot s’kemi asnjë garanci që një palë zgjedhje të reja do të na bëjnë të merremi vesh nesër. Prandaj çështja që duhet trajtuar me seriozitet është ajo që sot të mbaj të bllokuar vendin e që është çështja e presidentit”,tha Haxhiu.

Ajo deklaroi se në takim “Kurti e theksoi se ka votat për kryeparlamentar dhe për Qeveri, e çështja është tek marrëveshja për presidentin. Pra mund të jetë çështje në rend të tretë, por është çështje prioritare sepse mund t’i bëjmë të dyja e të mos kemi marrëveshje për presidentin e vendi të shkojë sërish në zgjedhje të panevojshme”.

“Qytetarët duan që partitë politike të ulen , jo të refuzojnë takime apo në kundërshtim me vullnetin e popullit, por të flasin për çështjen e presidentit. Ju e dini se kemi një qëndrim të LDK-së për president konsensual, pra të fillojmë të flasim me emra të përveçëm, për një kandidat që nuk është në ndonjërën nga partitë politike. Kryetari i VV-së e përmendi që s’duan që presidenti të jetë nga radhët e VV-së, pasi ka pasur opinione se VV-ja do që presidenti të jetë nga radhët e tyre.VV që përfaqësohet me 53 deputetë janë për një president konsensual, uroj që takimet me partitë politike të vazhdojnë e ato do të ndodhin shumë shpejtë sipas njoftimit që Kurti na tha”shtoi Haxhiu.

Po ashtu ajo njoftoi se Kurti së shpejti do të ketë një takim me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku,.

“Me LDK-në do të ketë një takim shumë shpejtë u takon atyre kur do të ndodhë ky takim por uroj që këtyre takimeve t’u bashkohen edhe partitë tjera e jot ë refuzojnë takimet sepse kjo nuk çon në asnjë marrëveshje.Pra, qytetarët presin kuvend funksional, Qeveri dhe president të zgjedhur 5 vjeçar dhe s’mund t’u kërkojmë qytetarëve të votojnë përsëri derisa s’kemi shfrytëzuar të gjitha mundësitë për dialog. Takimet janë të domosdoshme dhe më vjen shumë keq që partitë tjera s’e pranuan ftesën time për takim, do doja që sot të diskutojmë sepse pikërisht takimet e tilla ndihmojnë”./Lajmi.net/